Tragjedi në SHBA, zjarrfikësja 36-vjeçare humb jetën, bie nga lartësia gjatë një shëtitjeje në natyrë
Dorëheqja e Jensen Huang nga drejtimi i gjigantit amerikan të teknologjisë Nvidia, pas raportimeve për disa marrëdhënie jashtëmartesore, përfshirë një lidhje me një vartëse dhe një tjetër me një grua që zyrtarët amerikanë dyshonin se mund të kishte lidhje me inteligjencën kineze, ka nxjerrë në pah probleme serioze për kompaninë e dytë më të vlefshme në Shtetet e Bashkuara.
Sipas një analize të publikuar nga CNN më 16 nëntor, përtej skandalit seksual dhe dyshimeve për spiunazh, çështja ngre shqetësime për eksportin e çipave amerikanë drejt Kinës, sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe investimet miliardëshe në inteligjencën artificiale.
Në qendër të çështjes është kompania Megaspeed, me bazë në Singapor, një nga klientët e Nvidia-s, ku Alice Huang ka mbajtur një pozicion drejtues. Sipas CNN, autoritetet amerikane kanë identifikuar një marrëdhënie intime mes saj dhe Jensen Huang, ndërsa kanë ngritur dyshime se ajo mund të ketë qenë një burim i inteligjencës kineze. Këto dyshime nuk janë provuar.
Megaspeed po hetohet për dyshimet se ka devijuar drejt subjekteve në Kinë gjysmëpërçues amerikanë, në kundërshtim me kufizimet e eksportit të vendosura nga Uashingtoni. Sipas vlerësimeve të disa analistëve, të cituar nga CNN, kompania ka blerë çipa Nvidia me vlerë mbi 4 miliardë dollarë.
Megaspeed ka mohuar çdo shkelje, duke deklaruar se është një kompani që vepron në përputhje me ligjin.
CNN raporton se zyrtarë të administratës Trump kishin muaj që po shqyrtonin aktivitetin e Megaspeed. Disa punonjës të Departamentit të Thesarit kishin kërkuar përfshirjen e kompanisë në listën e zezë të Departamentit të Tregtisë, për shkak të shqetësimeve se çipat e avancuar amerikanë mund të përfundonin në Kinë.
Megjithatë, Departamenti i Tregtisë nuk ndërmori një masë të tillë, edhe pse sekretari Howard Lutnick ishte informuar prej muajsh për marrëdhënien mes Jensen Huang dhe Alice Huang.
Kjo situatë ka shkaktuar përplasje brenda administratës amerikane. Sipas CNN, sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka akuzuar publikisht Departamentin e Tregtisë për vonesa në klasifikimin e Megaspeed si kërcënim për sigurinë kombëtare.
Përplasjet kanë nxitur diskutime edhe për një shkarkim të mundshëm të Lutnick, megjithëse presidenti Donald Trump vazhdon ta mbështesë atë. Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Trump ka besim të plotë te sekretari i Tregtisë dhe aftësia e tij për të ushtruar detyrën.
Të premten, Lutnick pranoi vullnetarisht të dëshmojë përpara Komisionit Bankar të Senatit.
Një tjetër çështje që CNN evidenton lidhet me përpjekjet e Nvidia-s për të shitur çipa në Kinë. Jensen Huang ka mbështetur prej kohësh zgjerimin e kompanisë në tregun kinez, duke deklaruar në vitin 2025 se ky treg mund të arrinte një vlerë prej 50 miliardë dollarësh.
Administrata Biden vendosi kufizime për eksportin e çipave të avancuar, me synimin për të parandaluar përdorimin e tyre nga Pekini për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake dhe sistemeve të inteligjencës artificiale.
Edhe pasi Nvidia zhvilloi një çip më pak të fuqishëm, që përmbushte rregullat amerikane të eksportit, administrata Trump vendosi kufizime të tjera për shitjen e tij.
Në atë kohë, Nvidia deklaroi se këto masa do t’i shkaktonin një goditje financiare prej 5.5 miliardë dollarësh.
Megjithatë, sipas Reuters, në fillim të këtij viti qeveria amerikane autorizoi 10 kompani kineze të blinin çipin e fuqishëm H200.
CNN thekson se Megaspeed nuk është e vetmja kompani nën hetim për eksportin e teknologjisë amerikane drejt Kinës.
Në mars, themeluesi i kompanisë Super Micro Computer, me bazë në Kaliforni, u akuzua për kontrabandimin drejt Kinës të serverëve me çipa Nvidia, me vlerë 2.5 miliardë dollarë, në shkelje të ligjeve amerikane të eksportit.
Kompania, e cila nuk ishte përmendur në aktakuzë, deklaroi se po bashkëpunonte plotësisht me hetimet ndaj tre personave të akuzuar.
Sipas CNN, ky rast tregon se çipat Nvidia kanë vazhduar të përfundojnë në Kinë, pavarësisht kontrolleve të rrepta të eksportit.
Ndërkohë, dorëheqja e Jensen Huang ka ngritur pikëpyetje edhe për investimet gjigante të Nvidia-s në inteligjencën artificiale.
Gjatë verës, kompania bashkoi forcat me institucione të mëdha financiare, përfshirë Apollo, BlackRock, Blackstone, Brookfield, Goldman Sachs dhe KKR, për të siguruar financime mbi 500 miliardë dollarë për ndërtimin e infrastrukturës së inteligjencës artificiale.
Veçmas, Nvidia ka marrë një angazhim financiar prej 105 miliardë dollarësh gjatë këtij viti për një projekt të madh qendre të dhënash të OpenAI.
Sipas CNN, strategjia e Nvidia-s për të financuar kompani që më pas blejnë produktet e saj po përballet me një shqyrtim të ri pas largimit të Huang, i cili kishte luajtur rol kyç në realizimin e këtyre marrëveshjeve.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me faktin nëse ish-drejtuesi ka gënjyer bordin e Nvidia-s dhe investitorët e kompanisë. Një padi e paraqitur të hënën nga një aksionar pretendon se Huang ka dhënë informacione mashtruese kur është pyetur për marrëdhënien me Alice Huang.
Ndërkohë, Kongresi amerikan kërkon gjithashtu përgjigje. Kryetari i Komisionit Bankar të Senatit ka deklaruar se ligjvënësit janë të përgatitur të thërrasin me detyrim Jensen Huang për të dëshmuar, nëse ai nuk paraqitet vullnetarisht.
Sipas CNN, skandali që çoi në dorëheqjen e një prej drejtuesve më të fuqishëm të industrisë së teknologjisë ka nxjerrë në pah probleme që lidhen me kontrollin e eksporteve amerikane, marrëdhëniet me Kinën dhe financimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale.
Top Channel