Shqipëria duket se e kaloi me sukses testin e parë përgatitor me në fokus kualifikueset e Europianit 2020, teksa mbrëmjen e së hënës mposhti 3-2 në Antalia ekipin e Turqisë, me dy gola të shënuara nga Armando Sadiku dhe atë të Eros Grezdës.

Por loja e mirë e shfaqur nga kuqezinjtë tanë duket se nuk ka kënaqur vetëm trajnerin italian Christian Panucci. Një mendim pozitiv për paraqitjen e djeshme të kombëtares jep edhe trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i cili në fakt ka qenë shpeshherë kritik ndaj të huajve që kanë ardhur në futbollin shqiptar.

Sulejman Starova: Ajo që dua të them unë është se më është shtuar simpatia për Panuccin. Atë nuk e kam parë si lojtar, sepse nuk më ka pëlqyer asnjëherë si futbollist, por kjo ndoshta sepse unë kam qenë tifoz me Juventusin, ndërsa ai ka luajtur për skuadra të tjera. Përtej shakasë, unë vazhdoj të rris konsideratën për të, sepse është nga të vetmit trajnerë që kam parë këto 20 vitet e fundit, mes të huajve që kanë ardhur këtu te ne, që pa e deklaruar se do të luajë në sulm, po jep përshtypjen se nuk është një trajner frikacak. Nuk dua të përmend emra të tjerë, por kur Shqipërisë i është dashur të fitojë një ndeshje, trajnerët e tjerë duket se fshiheshin pas pikës duke i ndërtuar formacionet ndryshe. Panuccit i dallohet ambicia për të bërë më të mirën, ndaj vazhdoj ta theksoj se ne jemi komb i 10 milionë banorëve e jo më i 3 milionëve. Po e shikoni që nga dita në ditë, kandidaturat për Kombëtaren po shtohen. Sa i përket kritikave pse nuk ka grumbulluar filanin apo fistekun, siç u kam thënë edhe kolegëve të mi, mendoj se duhet lënë Panucci të bëjë të vetën. Ai e ka treguar se po i përzgjedh në mënyrë fantastike lojtarët, e ka treguar se di t’i vendosë shumë mirë lojtarët në fushë. Nuk është fituar kot ndeshja në Antalia, por unë kujtoj edhe përballjen e famshme nën drejtimin e Astrit Hafizit 4-2, po në Antalia, ndaj Turqisë së famshme të Hakan Sukurit. Në këto kushte, për të kapërcyer objektivat, që për ne janë vajtja në Europianë apo Botërorë e kush nuk i realizon këto duhet të largohet, nuk duhet të kënaqemi tashmë vetëm me lojën e mirë. Panucci ka ardhur për të fituar dhe rruga e fitores është pikërisht kjo që po bën. Ndaj duhet ta mbështesin edhe lojtarët. Pjesa e parë e djeshme ishte fantastike, ndaj të gjithë u vlerësuan me nota pozitive, edhe Memushaj që meritonte dy minuse për atë që bëri, gjë që do të ishte katastrofë po të ishte ndeshje zyrtare. Berisha luajti shkëlqyeshëm, e derisa ne arritëm të gjenim rrugën e golit, Shqipëria po luante me zotërim topi, po priste vertikalizimin, edhe pse nuk e realizoi sepse Turqia po luante tepër i kujdesshëm, portieri bëri mrekullinë duke mos lejuar të hynte goli i kundërshtarit. Në fushë ishte edhe një super Roshi, i cili driblonte si të ishte Ibrahimoviç duke mbajtur kokën lart, ndërsa Sadiku ishte në hije. Kështu është loja e tij, ai është sulmues ‘pykë’ dhe duhet që të luajë gjithë skuadra për të. Në momentin që u luajt për të, në dy raste të shënosh dy gola është maksimumi i një lojtari të madh. Ndaj në fund të pjesës së parë e meriton edhe ai një vlerësim super. Grezda jo, ai ishte vlerësuar pozitivisht, iu dallua autoriteti, por shpërthimin e pati në pjesën e dytë, kur nuk pushonte së vrapuari, e më pas shënoi edhe golin e tretë. Merita shkon edhe për trajnerin që vuri dorë. Kështu dua të vërtetoj se kam besim tek ai si përzgjedhës, për mënyrën si po e vendos skuadrën dhe për synimet e tij për një lojë sulmuese.

TCH: Por a është kjo një rrugë më e mirë sesa ajo që ndiqte De Biasi, një trajner më pragmatist, më i kujdesshëm?

Sulejman Starova: Nuk desha t’ia përmendja emrin, por meqë e përmendët ju, njerëzit duhet t’i rikthehen kujtesës. Populli nuk e bën dot këtë, ndërsa specialistët po. De Biasi ka ardhur dhe ka luajtur rreth dy vite pa asnjë objektiv, edhe për mungesë nga ana e Federatës shqiptare që ishte në kulmin e luksit, dhe në harkun e 6-7 ndeshjeve në vit, në 3 ndeshje gjithmonë gabonte. Po ju kujtoj një herë kur ia bëri formacionin e gjithë Shqipëria. Luajtëm të mërkurën dhe të enjten dhe të enjten doli që e gjithë Shqipëria mendonte ndryshe nga ai dhe De Biasi u detyrua që ditën e shtunë të luante sipas ‘shqiptarëve’. Në atë rast ai fshihej pas pikës, kishte hallin e vet së pari. Ndërsa Panucci nuk pyet për hallet e veta, sepse kartat e kreditit i ka plot, ndaj nuk e ka mendjen te paratë, por te rezultati.

TCH: A e ka Shqipëria potencialin të jetë një skuadër, siç thotë Panucci, që s’duhet të ketë frikë asnjë?

Sulejman Starova: Po nuk e patëm ne, unë, ti dhe të gjithë shqiptarët bashkë, që të mos kënaqemi me pak, Shqipëria normalisht do ta ketë potencialin. Jemi 10 milionë shqiptarë dhe tashmë po na dalin edhe lojtarë shumë të mirë, kujtoj Berishën, por kemi edhe Strakoshën. Kemi Hysajn në mbrojtje, i cili luan me Napolin. Por fillimisht duhet të besojë populli njëherë për të shkuar lart e më lart, jo të kënaqet me pak. Kjo është një shenjë shumë e mirë, edhe pse në fund të fundit ishte vetëm një ndeshje miqësore. Jemi në rrugë të drejtë dhe e theksoj edhe njëherë simpatinë për Panuccin si për asnjë trajner tjetër. Erdhi edhe Arie Haan, na gënjeu se do të luante në sulm, por nuk dinte si të luante hiç. Këtë e shoh si arritje dhe i uroj suksese Panuccit si trajner i ekipit kombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA