PSG dhe Mourinho po negociojnë

07/11/2017 08:43

Paris Saint Germain e ka seriozisht për Jose Mourinhon. Pavarësisht projektit të madh që i kanë vënë përpara trajnerit aktual Unai Emery, drejtuesit e klubit parizien janë vënë në kërkim të një trajneri të ri dhe ai nuk është askush tjetër, përveçse portugezit të Manchester United.

Sipas asaj që publikohet te tabloidi “The Sun”, përfaqësuesit e Mourinhos kanë hyrë tashmë në kontakte me drejtuesit e Paris Saint Germain.

Në Britani besohet se, drejtori sportiv Antero Henrique mund të luajë një rol të rëndësishëm në tentativat e klubit për të bindur Mourinhon, që të pranojë kalimin në Paris, duke qenë se ai ka punuar me portugezin edhe në kohën kur ata ishin pjesë e skuadrës së Portos.

Jose Mourinho ka një kontratë me Manchester United deri në vitin 2019, e shpesh ka thënë se dëshiron që të qëndrojë te “djajtë e kuq”. Por pavarësisht kësaj, ai nuk ka ngurruar të japë edhe mesazhe kundrejt Paris Saint Germain, që të lënë të kuptosh krejtësisht të kundërtën.

Luzitani e bëri këtë përpara 3 javësh, kur në një intervistë për “Telefoot” konfirmoi praninë e të birit në “Parc des Princes” gjatë një ndeshjeje të PSG-së, duke e injoruar krejtësisht atë të Manchester United. Për më tepër, Mourinho e konsideroi Parisin si një qytet të veçantë, që ka magji, cilësi e rini.

Ndërsa media britanike spekulon me të ardhmen e Mourinhos te PSG, portugezi ka filluar nazet e tij kundrejt Manchester United për rinovimin. “Djajtë e kuq” duan t’i ofrojnë luzitanit një kontratë të re afatgjatë, por portugezi kundërpërgjigjet duke kërkuar një rritje të pagës me 3.5 milionë euro, ndërkohë që aktualisht ai paguhet me 10 milionë euro në sezon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA