Do të duhen 100 vite për të eliminuar hendekun e barazisë mes burrave dhe grave, në nivelin aktual të tij.

Për herë të parë, të dhënat nga forumi ekonomik botëror, treguan përkeqësim nga viti në vit, të hendekut gjinor, që prej prej fillimit të monitorimeve në 2006-ën. Raporti liston 144 vende duke marrë në konsideratë mundësitë ekonomike, arsimin, pjesëmarrjen në politikë dhe shëndetësinë.

Gratë vlerësohet të kenë 69% të mundësive dhe të ardhurave që kanë burrat, 0.3% më pak se sa në vitin paraardhës. Të dhënat sugjerojnë se do të duhet një shekull për të mbyllur të gjitha zonat e pabarazisë në rang global, më shumë nga 83 vitet e parashikuara në 2016-ën.

Sipas raportit barazia gjinore është më e kënaqshme në fushat e arsimit e shëndetësisë, por dallimet e rëndësishme në pjesëmarrjen politike dhe fuqizimin politik të grave vazhdojnë të jenë të spikatura përreth botës. Gratë duhet të presin 217 vjet përpara se të fitojnë aq shumë sa burrat dhe të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në vendet e punës, thuhet në raport.

Vendet nordike mbeten mes më të mirëve në botë sa i përket barazisë së përgjithshme. Islanda kryeson listën, ku hendeku gjinor është 12%. Norvegjia, Finlanda dhe Suedia janë gjithashtu në top pesëshe. Ruanda, shteti me numrin më të lartë të grave në parlament, renditet e 4-ta.

Gratë në Lindjen e mesme dhe Afrikën Veriore, janë ato më të diskriminuarat, me Jemenin e copëtuar nga lufta, që pozicionohet i fundit. Në listën me 144 vende, Shqipëria renditet në vendin e 38, shumë më përpara se vendet e tjera të rajonit, e gjithashtu Italisë. Bullgaria është i vetmi vend ballkanik që renditet përpara nesh.

Top Channel