“Boll na kërcënuat”/ Presidenti i ri i Tajvanit paralajmëron Kinën: Pranonin më në fund…

20/05/2024 12:05

“Boll na kërcënuat, pranojeni më në fund ekzistencën e demokracisë sonë”!

Presidenti i ri i Tajvanit, Lai Ching-te, e ktheu fjalimin e tij të betimit në një thirrje për paqen si zgjidhja e vetme ndërsa shtoi se Pekini duhet ta respektojë zgjedhjen e popullit tajvanez. Ai edhe një herë kërkoi bisedime me Kinën që e shëh Tajvanin si territory të saj dhe i ka shtuar ndjeshëm kërcënimet për aneksimin e tij edhe me forcë, nëse do të jetë e nevojshme.

“Dua t`i bëj thirrje Kinës të mos e kërcënojë më Tajvanin politikisht dhe ushtarakisht, dhe ta marrë përsipër përgjegjësinë globale për ishullin për të punuar me zell në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përgjatë Ngushticës së Tajvanit dhe në rajon, duke u siguruar kështu që bota të mos frikësohet nga shpërthimi i luftës. Tajvani nuk bën lëshime për demokracinë dhe për lirinë. Paqja është opsioni i vetëm dhe prosperiteti është synimi ynë për paqe dhe stabilitet afatgjatë”, tha Lai Ching-te, president i Tajvanit.

Tajvani është duke u përballur me një presion të madh nga Kina që nuk i resht aktivitetet detare dhe ajrore në afërsi të ishullit që kur 64-vjeçari, u emërua president në janar. Lai, i cili ka qenë zëvendës president në katër vjetët e fundit, tha se njerëzit duhet të jenë për çdo rast të ndërgjegjshëm për kërcënimin që buron nga Kina dhe se Tajvani duhet ta dëshmojë përkushtimin për ta mbrojtur veten.

“Para se Kina të heqë dorë nga përdorimi i forcës për ta pushtuar Tajvanin, qytetarët duhet ta kuptojnë këtë: Edhe nëse ne i pranojmë të gjitha pretendimet e Kinës dhe heqim dorë nga sovraniteti, synimet e Kinës për ta aneksuar Tajvanin nuk do të zhduken”, u shpreh ai. Edhe gjatë ditës së sotme, gjashtë avionë luftarakë kinezë e kaluan vijën e Ngushticës së Tajvanit, e cila shërben praktikisht si një vijë jozyrtare kufitare, por që Kina pretendon se nuk e njeh aspak si të tillë. Kina thotë se nuk e njeh më këtë vijë kufitare.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e uroi Lain për detyrën, e i përcolli mesazhin se Shtetet e Bashkuara presin me padurim  të punojnë me të për “avancimin e interesave dhe vlerave të përbashkëta, si dhe për ruajtjen e paqes në rajon”.

Top Channel