Presidenti i ri i Iranit takim të jashtëzakonshëm me zyrtarët e lartë! Flet personi i fundit që e ka parë Raisin/ Ja kur do mbahet funerali

20/05/2024 11:45

Presidenti në detyrë i Iranit, Mohammad Mokhber mbajti një “takim të jashtëzakonshëm” ditën e sotme me krerët e degëve legjislative dhe gjyqësore pas njoftimit për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, sipas mediave shtetërore iraniane.

Mokhber foli me kryetarin e Parlamentit iranian Mohammad Bagher Ghalibaf dhe Hujjat al-Islam Gholam-Hossein Mohseni-Eje’i, kreun e Gjyqësorit të Iranit.

Të tre shprehën ngushëllimet e tyre dhe rikonfirmuan se tre degët e qeverisë do të vazhdojnë detyrat e tyre ndaj kombit “pa asnjë ndërprerje”.

Ndërkohë presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev i cili ishte i fundit që pa presidentin Raisi gjatë një takimi në kufirin Iran-Azerbajxhan për inaugurimin e një dige, u shpreh i prekur nga humbja e tij.

 “Populli iranian ka humbur një burrë shteti, i cili ia ka kushtuar jetën vendit të tij me besnikëri dhe sakrifica”, thuhet në deklaratën e presidentit Aliyev.

“I urojmë durim dhe qetësi nga Zoti i Plotfuqishëm popullit iranian dhe dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona për ju, familjet dhe miqtë e të vdekurve dhe gjithë popullit iranian”.

Gazeta iraniane e lajmeve Tasnim, e cila është e lidhur me Korpusin e Gardës së Revolucionit Islamik të vendit, ka raportuar se funerali i Presidentit Ebrahim Raisi do të mbahet nesër në Tabriz, qyteti ku ai po udhëtonte dje.

Gazeta thotë se funeralet për viktimat e tjera do të mbahen gjithashtu nesër, duke cituar zyrtarë në provincën e Azerbajxhanit Lindor të Iranit. Trupat paraprakisht do të dërgohen në departamentin e mjekësisë ligjore në Tabriz.

Kabineti i Iranit ka emëruar sot gjithashtu edhe zëvendësministrin e Jashtëm Ali Bagheri Kani si ushtrues detyre të ministrit të Jashtëm, pas vdekjes së Hossein Amir-Abdollahian, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Top Channel