Goditjet e grupeve kriminale nga SPAK, zbardhen rolet e katër efektivëve të policisë, si u shërbenin “kokave” të krimit (Emrat)

20/05/2024 11:49

Një megaoperacion i SPAK ka mundur të dokumentojë aktivitetin kriminal të 7 grupeve, në të cilët operonin disa prej emrave të njohur të botës së krimit në vendin tonë, teksa deri më tani janë lëshuar 50 urdhër-arreste nga GJKKO.

Pjesë e këtyre grupeve kanë qenë edhe katër zyrtarë të policisë, Klodian Shahini me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, i cili ka qenë drejtor në policinë e Lezhës, si dhe Altin Morina i cili ka qenë pjesë e strukturës së forcave RENEA si dhe Adrian Pikli, punonjës policie në Policinë e Shtetit.

Burime i kanë bërë me dije gazetares Anila Hoxha se Klodian Shahini dyshohet se duke shfrytëzuar pozicionin e tij si nënpunës policie, ka ndihmuar Elson Reçin për t’i verifikuar atij targat e automjeteve të përdorura nga Preng Gjini, si dhe të gjitha hyrje-daljet e këtij të fundit nga pikat kufitare në vend.

Nga ana tjetër, sipas burimeve, thuhet se Henerigert Mitri ka pasur komunikime të vazhdueshme me biznesmenin e arrestuar, Pëllumb Gjokën, të cilit i ka siguruar qetësinë për të vijuar aktivitetin e tij kriminal për lojërat e fatit.

Nga ana tjetër Altin Morina ka pasur kontakte dhe komunikime me Durim Bamin, ndërsa përmes pagesave që merret prej këtij të fundit, i siguronte që të kryente i qetë aktivitetin e tij kriminal, në lidhje me parcelat me kanabis që kishte mbjellë.

Burimet i thanë gjithashtu gazetares Anila Hoxha se Adrian Pikli duke shfrytëzuar pozicionin e punës si punonjës policie, krijon lehtësira për trafikun e armëve nga ai vetë dhe bashkëpunëtori i tij Deivis Bajramaj.

Top Channel