Kosova ka nderuar me medaljen presidenciale të meritave artistet Tinka Kurti, Margarita Xhepa dhe Zenepe Lukën.
Presidenti Hashim Thaçi i ka falënderuar përfaqësueset e delegacionit për vizitën në Kosovë dhe u ka shprehur mirënjohje për të arriturat secilës anëtare në fushat përkatëse.
“Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ndërsa, Kryetarja e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, duke folur për aktivitetin e këtij fondacioni, ka thënë se janë munduar gjithnjë të promovojnë kontributin e gjithanshëm të gruas shqiptare në fushën e kulturës, shkencës, artit dhe shoqërisë.
“Fondacioni ka degë të shumta në mbarë trojet shqiptare”, ka thënë ajo.
Për kontributin e tyre në kuadër të këtij fondacioni, aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa, si dhe kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, Zenepe Luka, presidenti Thaçi i ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Top Channel