Nëse sot do të flisnim për një plazh të virgjër në Durrës, padyshim që një ndër të paktët që kanë mbetur, është plazhi i Kallmit.

Rrethuar nga kodrina, gjelbërimi dhe gjineshtrat, Kallmi, vetëm 8 km larg qendrës së Durrësit të ofron magjinë e freskët të kësaj vere të nxehtë. Këtu ndjehesh pak Robinson Kruzo dhe turist elitar, larg rrëmujës e rrëmetit të qytetit e pranë natyrës.
 
Plazhi me guralecë dhe ujë të pastër, me shkëmbinj të kthyer në dallgëthyes dhe trampolina natyrore, e bën kaq të ndryshëm nga plazhi i madh ranor i Durrësit.
 
“Është plazhi më i pastër, po ka atë problemin e rrugës. Po të shtrohej rruga njerëzit do të vinin këtej më shumë për plazh”, thotë një pushues.

“Fatmirësisht hera e parë që vijmë. Na e sugjeruan dhe e gjetëm. Sapo kemi ardhur, po shpresojmë të vijmë sërish”, shprehet një tjetër pushuese.

Dikur zonë ushtarake, pas viteve ’90 ajo iu kthye komunitetit, por mungesa e investimeve në infrastrukturën rrugore e mban sërish larg shumë pushuesve që preferojnë plazhet e vogla, freskinë, qetësinë dhe pastërtinë e shumëdëshiruar.

Në kërkim të plazheve të qeta, edhe kjo turiste austriake ka zbuluar për herë të parë plazhin e Kallmit dhe Shqipërinë.

“Është shumë këndshëm, plazh i paqtë dhe jo i mbipopulluar. Është hera e parë që vij në këtë plazh. Ne erdhëm nga Mali i Zi dhe vijmë për herë të parë në Shqipëri. E gjetëm këtë plazh duke kërkuar për një vend të qetë. Është shumë bukur”, u shpreh turistja austriake.

Në strategjinë e zhvillimit afatmesëm të qytetit të Durrësit, Kallmi konsiderohet si zonë e turizmit elitar.

E shndërruar në mushkërinë e blertë të qytetit, Kallmi pret më shumë pushues dhe mbi të gjitha investime cilësore.

FOTO GALERI
2/18

Top Channel