Dënohet peshkatari shqiptar, iu kapën në jaht 17 emigrantë, po i fuste ilegalisht në Angli
Një shkresë urgjente e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, e firmosur nga zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, kryekomisar Edmond Meshini, u kërkon komisariateve të Tiranës dhe Krujës të marrin masa të menjëhershme për menaxhimin e situatës gjatë protestave të studentëve, me fokus të veçantë te trajtimi i të miturve.
Në dokument theksohet respektimi i të drejtave ligjore të të miturve, identifikimi i punonjësve të policisë, ruajtja e pamjeve filmike të datës 19 tetor, si dhe ndalimi i kontrolleve të telefonave dhe kërkimit të fjalëkalimeve pa bazë ligjore.
Po ashtu kërkohet që efektivët të njihen me aktet ligjore për përdorimin në mënyrë proporcionale të gazit lotsjellës.
Shkresa, e cila mban datën 22 tetor, kërkon gjithashtu garantimin e pranisë së prindit ose kujdestarit dhe psikologut gjatë procedurave me të miturit.
Shkresa u është dërguar komisariatit NR. 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, komisariatit të policisë Tiranë dhe atij të policisë Krujë.
“Nisur nga situata e kohëve të fundit që ka të bëjë me protestat e iniciuara nga studentët, me qëllim zbatimin me korrektësi të detyrimeve të përcaktuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe në Aktet nënligjore që lidhen me të miturit, nga ana e juaj kërkohet:
Çdo punonjës policie në detyrë të jetë lehtësisht i identifikueshëm, me numër identifikues të dukshëm si dhe identifikim të automjeteve në çdo operacion.
Në bashkëpunim me Bllokun e Sigurisë të merren masa urgjent, për menaxhimin e rasteve me të mitur, me qëllim zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin në ambiente të tjera brenda kapacitetit ligjor.
Të bashkëpunohet dhe të koordinohet puna me Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit, me qëllim sigurimin e kamerave dhe vendosjen e tyre në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi, në çdo zyrë, me ruajtje të pamjeve si dhe ruajtja e menjëhershme e pamjeve të datës 19 Tetor 2026.
Të mos kryhet asnjë kontroll i telefonave pa urdhër gjyqësor dhe asnjë kërkesë për fjalëkalime pa bazë ligjore.
Të sigurohet në çdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit dhe psikologut për çdo të mitur, formular i të drejtave në versionin për të mitur, para çdo pyetjeje, regjistër i veçantë për të miturit.
Të njihen strukturat me aktet ligjore mbi përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës.
Të plotësohen regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara”, thuhet në këtë shkresë.
Top Channel