Shqiptarët rrisin përfaqësimin në Parlamentin serb/ Visar Mehmeti tregon prioritetet: Nga pasivizimi i adresave te diplomat e Kosovës
Kanë kaluar fiks 26 vjet që kur një nxënës me origjinë shqiptare në qytezën Nea Mihaniona, pranë Selanikut, u bë çështje për të gjithë Greqinë.
Ishte Odise Cenaj, një nxënës i shkëlqyer që në bazë të rregullit se kush ishte nxënësi që kishte notat më të mira në klasë, kishte fituar të drejtën të mbante flamurin grek në paradën shkollore. Por për disa, notat e tij nuk mjaftonin. Pengesa ishte prejardhja e tij shqiptare.
Polemika të ashpra shpërthyen në vitin 2000 dhe u përsëritën tre vjet më vonë. Prindër, qarqe të ekstremit të djathtë dhe politikanë kundërshtuan pjesëmarrjen e tij si flamurmbajtës. Mes zërave më të fortë kundërshtues ishte edhe prefekti i atëhershëm i Selanikut, Panajotis Psomiadhis, i cili deklaronte se grek lind, nuk bëhesh.
Cenaj, me këshillën e familjes së tij, hoqi dorë për të ulur tensionet. Kanë kaluar shumë vite prej atëherë dhe tashmë flamurin grek e kanë mbajtur edhe nxënës me prejardhje shqiptare apo nga vende të tjera që kanë emigruar në Greqi. Por historia e tij mbeti një nga rastet më të njohura të debatit për përkatësinë dhe pranimin e fëmijëve të emigrantëve.

Sot, në prag të përvjetorit të 28 Tetorit, ai rikthehet te kjo përvojë në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, e cila përshkruan se çfarë ka ndodhur me jetën e tij.
Në vitin 2004 ai u largua për studime në Shtetet e Bashkuara. Ndihmën vendimtare ia dha shkencëtari grek Stelios Papadhopulos, i cili kishte trokitur në derën e familjes pas polemikës së flamurit. Prindërit e ndoqën disa vite më vonë.
Studioi Fizikë në Boston College, vazhdoi në Harvard dhe sot punon si mjek anatomopatolog e pedagog në NYU Langone Health, në Nju-Jork.
Jeton me bashkëshorten Blerta, gjithashtu me prejardhje shqiptare, dhe dy fëmijët e tyre. I kujton fyerjet pa dyshim dhe tregon se fillimisht ishte zemëruar, por mbështetja që mori nga njerëz anembanë Greqisë e ndihmoi ta kapërcente atë përvojë.
Dhe për Greqinë nuk shpreh mëri. Miqtë më të ngushtë i ka ende në Selanik. Kujton ngrohtësinë e fqinjëve që pritën familjen e ardhur nga Shkodra dhe ëndërron që, pas pensionit, të jetojë sërish pranë detit. Ndoshta edhe në Mihaniona, aty ku dikur prejardhja e tij u kthye në pengesë për të mbajtur një flamur.
Top Channel