Assadi rimerr Palmiran; ushtarët patrullojnë qytetin

25/03/2016 11:30

Trupat ushtarake të presidentit Basha al-Assad, të mbështetura nga bombardimet ajrore ruse, morën nën kontroll qytetin historik të Palmiras, nën kontrollin e ISIS-it që prej majit të vitit të kaluar.

Pamje të ushtarëve të Damaskut që patrullonin rrugët e qytetit të shkatërruar u transmetuan nga televizioni shtetëror iranian.

Ushtria nisi ofensivën për marrjen e qytetit një muaj më parë dhe luftime të ashpra pasuan më vonë. Një zyrtar rus, i cituar nga mediat në Moskë, ka deklaruar se gjatë ofensivës së fundit një komando rus ka mbetur i vrarë. Ai ishte pjesë e një ekipi në terren që siguronte koordinatat për bombardimet ajrore.

Palmira ra nën kontrollin e ekstremistëve në muajin maj të vitit të kaluar dhe si të mos mjaftonte fushata e terrorit ndaj banorëve vendas që refuzonin Kalifatin, u ndërmor edhe një fushatë shfarosjeje e objekteve antike pjesë e trashëgimi së kulturës botërore.

Mes objekteve të shkatërruara ishte edhe amfiteatri i vjetër romak, një vepër e rrallë që mbijetoi për rreth 2 mijë vite, por jo ideologjisë ekstremiste të ISIS-it.

Shkatërrimi i zonës antike të Palmiras konsiderohet nga historianët si humbja më e madhe e pasurisë antike që zotëron Siria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA