Edhe pse ka qenë dominuese në Botërorin e Formulës 1 në dy sezonet e fundit, Mercedesi nuk do të jetë skuadra që do të përfitojë më shumë të ardhura nga të drejtat televizive në vitin 2016, kjo për shkak të një ndarjeje asimetrike të të ardhurave të tilla të vendosura nga Bernie Ecclestone.
Skuadra më fatlume në këtë pikë është Ferrari. “Kokëkuqja” italiane, edhe në rast se nuk do të fitojë qoftë edhe 1 pikë të vetme vitin e ardhshëm, do të përfitojë të ardhura po aq sa edhe skuadra kampione e ndoshta më shumë. Të tjera ekipe historike në Formulën 1 do të gëzojnë një privilegj të tillë dhe kjo në dëm të skuadrave të vogla, që me vështirësi të mëdha po mundohen të kompensojnë deficitet financiare të tyre. Këto të ardhura ndahen në bazë të dy krtiereve: “bonusi historik” dhe klasifikimi në Botërorin e Formulës 1 për Konstruktorë.
Kështu, Ferrari do të përfitojë 151.7 milionë euro, nga të cilat 82.1 milionë i përfiton nga bonusi historik, ndërsa pjesën tjetër në bazë të klasifikimit në kampionat. Mercedesi, skuadra kampione e botës, është e dyta me një vlerë 112.4 milionë euro, ndërsa shumë pranë saj ndodhet skuadra e Red Bullit me 112.2 milionë euro përfitime për vitin e ardhshëm. Më pas, në këtë klasifikim të veçantë pozicionohen McLaren, Williams, Force India dhe Lotus.
Shpërndarja e të ardhurave do të bëhet pikërisht me nisjen e Botërorit të ri të Formulës 1, gjithnjë për ato skuadra që do të jenë pjesëmarrëse në të gjitha garat e këtij kampionati.
Top Channel