Real Madrid në krizë, por trajneri Benitez nuk rrezikon postin

23/11/2015 11:30

Rafael Benitez nuk e rrezikon pozitën e tij në pankinën e Realit të Madridit për momentin, pavarësisht humbjes turpëruese 0-4 në “Klasiken” me Barcelonën në “Santiago Bernabeu”. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja “AS”, drejtuesit e klubit madrilen do të organizojnë një mbledhje gjatë dy ditëve të ardhshme, nga ku do të deklarojnë mbështetjen e tyre të plotë ndaj teknikut spanjoll.

Megjithatë, duket se kjo mbështetje nuk do të jetë e pafund dhe Benitezi e di shumë mirë këtë. Tre ndeshjet e radhës Reali i Madridit i ka jashtë fushës së tij dhe këto sfida mund të vendosin jo pak në lidhje me të ardhmen e Benitezit. Sfida që Reali i Madridit ka më pak presion është ajo e së mërkurës me Shakhtar Donetsk në Ligën e Kampioneve, kjo për faktin se Reali e ka siguruar matematikisht kualifikimin për në 1/8 e finaleve të këtij aktiviteti.

Pas katër ditësh, Reali do të udhëtojë drejt Ipuruas për të zhvilluar sfidën me surprizën Eibar, e cila renditet në vendin e shtatë në klasifikim. Sfida e tretë e Realit larg “Santiago Bernabeu” është ajo me Cadiz në Kupën e Mbretit, ndeshje kjo që konsiderohet e një shkalle vështirësie të ulët për “Los Blancos”.

Gjithsesi, Benitezit nuk i lejohet më të bëjë asnjë gabim, sidomos përsa u përket sfidave në kampionat. Kjo për faktin sepse nuk është vetëm Barcelona ajo që i hapi probleme Realit duke u shkëputur në 6 pikë, por madrilenët tashmë e shohin veten në vendin e tretë, pasi Atletico Madrid me fitoren ndaj Betisit i rrëmbeu vendin e dytë në renditje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA