Egjipt, zhvillohen sot zgjedhjet e para parlamentare prej 2012-s

18/10/2015 00:00

Egjipti voton sot në raundin e parë të zgjedhjeve të vonuara parlamentare, të parat që prej shpërbërjes së Parlamentit paraardhës, me një vendim gjykate në vitin 2012.

Autoritetet thanë se zgjedhjet janë hapi përfundimtar në tranzicionin drejt demokracisë. Gjithsesi, kritikët thonë se shumica e kandidatëve janë mbështetës të Presidentit Abdul Fatah al-Sisi dhe Parlamenti i ri, me shumë gjasa do të forcojë edhe më shumë pushtetin e tij.

Zgjedhjet do të zhvillohen në dy raunde votimesh dhe rezultatet nuk priten të bëhen publike para muajit dhjetor. Votuesit do të zgjedhin 596 parlamentarë të dhomës së përfaqësuesve. Agjencia e lajmeve “Mena” raporton se, masa të ashpra sigurie do të zbatohen në të gjithë vendin, me të paktën 185 mijë trupa ushtarake që do të mbështesin policinë.

Të shtunën, Presidenti al-Sisi u kërkoi egjiptjanëve të votonin përmes një fjalimi televiziv.

“Rreshtohuni para qendrave të votimit dhe, përmes votave, mbillni shpresën për një të ardhme të ndritur për Egjiptin tonë të ri”, u shpreh kreu i vendit.

Presidenti al-Sisi është një ish-gjeneral, i cili drejtoi grushtin e shtetit të vitit 2013 kundër ish-Presidentit Muhamed Morsi, pas trazirave që kishin përfshirë vendin.

Partia e Morsit, “Vëllazëria Myslimane” fitoi gati gjysmën e vendeve në Parlamentin e kaluar, por tani ajo është shpallur e jashtëligjshme dhe udhëheqësit e saj janë në burg. Disa prej tyre janë dënuar me vdekje.

Megjithatë, duket se nuk kanë pasur të njëjtin fat shumë pjesëtarë të regjimit të autokratit Hosni Mubarak, disa prej të cilëve janë në listën e kandidatëve në zgjedhjet aktuale. Analistët parashikojnë se pjesëmarrja do të jetë e ulët, për shkak të zhgënjimit që mbizotëron mes shumë egjiptjanëve lidhur me procesin demokratik. Shumë janë të zemëruar me qeverinë dhe politikat e saj.

Top Channel