Refugjatët sirianë, Banka Botërore biznes me vendet pritëse

16/10/2015 16:50

Banka Botërore po përpiqet që të krijojë një paketë ndihme financiare për vendet që kanë pritur refugjatë nga Siria. Sipas zyrtarëve të këtij organizmi, vende si Libani dhe Jordania po mbajnë një peshë të tmerrshme financiare dhe ato duhen ndihmuar.

Sipas Bankës, po diskutohet edhe për ndihmë nga vendet e pasura dhe vendet e Gjirit Persik. Banka Botërore shtoi se ideja është mirëpritur nga kontribuesit e mundshëm dhe pritet që fondet e para të kalojnë brenda 6 muajsh.

Sipas marrëveshjes që po diskutohet, Banka Botërore do t’i japë hua Jordanisë e Libanit dhe vendet që do të vendosin të ndihmojnë do të mbulojnë një pjesë të interesave.

Bazuar në këtë fakt, plani i Bankës Botërore nuk është cilësuar aspak ndihmë, por thjesht biznes, pasi fundja paratë Libanit dhe Jordanisë do t’i jepen me interes dhe nuk janë aspak ndihmë.
 
Ndërkohë, mësohet se Libani dhe Jordania nuk kanë treguar fare interes për një ide të tillë, pasi nuk kanë asnjë arsye të paguajnë interesa për t’u përballur me një problem që nuk e kanë shkaktuar ato.

Miliona refugjatë janë tashmë në vendet fqinje të Sirisë. Numri më i madh gjendet në Truqi, por janë ekonomitë shumë më të vogla si Libani apo Joradania që përballen me vështirësi të thella financiare.

Për të ilustruar situatën, në Liban refugjatët sirianë kanë shtuar me 30% popullsinë e vendit, ndërsa në Jordani me 20%.

Top Channel