Turizmi në zonat e mbrojtura, kërkohet krijimi i një database

09/10/2015 13:35

Zhvillimi i turizmit në zonat e mbrojtura ka qënë objekt i një konference kombëtare në qytetin e Korçës. Qëllimi i kësaj konference sipas Zamir Dedei, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, është zhvillimi i turizmit përgjatë gjithë vitit me bazë natyrën, një mundësi kjo për t’u zbatuar tashmë në realitet.

Shqipëria sipas tij ka vende të bukura, por një pjesë e tyre të panjohura për turistët vendas dhe të huaj. Për këtë Dedei ka kërkuar mbështetje për infrastrukturën turistike në zonat e mbrojtura të vendit. Për t’i bërë sa më të njohura zonat e mbrojtura të vendit, Dedei ka bërë me dije dhe nevojën për krijimin e një faqe dixhitale në mënyrë që të huajt të kenë më tepër mundësi për t’u njohur me këto zona.

“Duam një turizëm në zonat e mbrojtura që të jetë i gjatë 360 ditë, ku dhe qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj të gjejnë mundësitë për të vizituar vlerat natyrore dhe bukuritë që kemi. Ka një trend pozitiv për këtë punë, kryesisht e lidhur me zonat e Alpeve, në Theth dhe Valbonë, dhe turizmin lagunar të zogjve, që është sot në Lagunën e Karavastasë. Kemi vizitorë të shumtë në parqet kombëtare po jemi akoma larg një turizmi të organizuar, ku turisti gjen informacione”, thotë Zamir Dedei.

Konferenca ka pasur në fokus zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor nëpërmjet mbrojtjes së resurseve natyrore dhe mbështetjen e bizneseve që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë.

Top Channel