Në fundjavë, Angela Merkel deklaroi se Gjermania do të hapë dyert për të gjithë refugjatët sirianë, ndërsa ditën e parë të kësaj jave, ministri i saj i Brendshëm, njoftoi masa më të rrepta sigurie në kufirin me Austrinë për t’i bërë ballë fluksit të emigrantëve.
Deklarata e Merkel nga veprimi në terren i autoriteteve, për analistët tregon një qëndrim të dyzuar të Gjermanisë. Pse? Damien McGuinness thotë për BBC se ky qëndrim i dyfishtë mund të shpjegohet vetëm me situatën dhe balancat politike brenda koalicionit qeverisës që udhëheq Merkel.
Në fakt, vetë qëndrimi i Merkelit nuk është se ka ndryshuar shumë, po mesazhi i saj po dhe është më shumë një mesazh politik drejtuar aleatëve të saj në qeveri. Kancelarja shihet me dyshim nga shumë elementë të së djathtës që drejton, që e akuzojnë atë se me qëndrimet e saj po zhvendos drejt qendrës kristian-demokratët për të fituar vota. Qëndrimi i butë ndaj emigrantëve, konfirmon dyshimet e tyre.
Konservatorët e CSU-së, janë më problematikët. Ata e konsiderojnë qëndrimin e zbutur të Merkel ndaj emigrantëve një “gafë politike të pakrahasueshme”.
Si të mos mjaftonte kjo, deklarata e mikpritjes e Merkelit ka zënë pa përgatitur drejtuesit e qeverive vendore, që thonë se nuk janë informuar më herët mbi këtë qëndrim të kancelares. Shumë drejtues të qeverive të landeve shprehen skeptikë ndaj politikave të qeverisë federale dhe kjo duhet të shqetësoje Merkelin, pasi janë pikërisht qeveritë rajonale ato që përballen me problematikën e emigrantëve, jo ajo qëndrorja. Për të zbutur disi hendekun e qëndrimeve dhe armiqësisë, Merkel ka premtuar fonde, më shumë fonde.
Përveç kësaj, sa më shumë rritet numri i azilantëve, aq më shumë rrallohen zërat pro tyre. Zv.kancelari Sigmar Gabriel tha se deri në fund të vitit, numri i azilantëve mund të kapë 1 milionë. Vetëm të shtunën 13 mijë emigrantë mbërritën në stacionin hekurudhor të Mynihut, një shifër tepër e lartë për t’u përballuar nga autoritetet, në ndihmë të të cilave është vënë edhe komuniteti.
Të tilla shifra të fluksit sa vijnë e po e qartësojnë qëndrimin gjerman se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të përballojë, ndërkohë që disa vende të tjera të BE-së kanë refuzuar edhe shifra modeste azilantësh. Në këtë situatë, pyetja që ngrihet është: Çfarë do të bëhet me ata mijëra të tjerë që vazhdojnë të dynden në kufijtë e BE-së?
Top Channel