Jo vetëm elegantet në pasarela

27/07/2015 00:00

Diversiteti ishte frymëzimi i javës së modës në Sao Paulo të Brazilit, ku u sfiduan kornizat e figurës së hollë femërore, me një kremtim të këndshëm të formave të mbushura.

Entuziastët e modës dhe bukurisë u mblodhën në qendrën e konventave “Frei Caneca” fundjavën që sapo lamë pas, për të parë të pushtojnë pasarelën modele të kolme, si prezantuese të koleksioneve të verës së 2016-s, të firmosura nga stiliste që e preferojnë masën plus.

Nuk kishte fshehje pas shalleve të plazhit apo peshqireve; vajzat u shfaqën me të gjithë shëndetin e tyre në rrobabanjoje njëngjyrëshe, me pika, lule e motive nga më të ndryshmet, pa përjashtuar edhe pëlhurat e frymëzuara nga arti i popit.

Organizatorja e javës së modës, Renata Poskus thotë se, edicioni i 12 i këtij eventi synoi të davariste mitin e një “dress code”-i të mbështetur te përmasat trupore.

“Mendoj se ‘Plus Size Fashion Week’ tregon, që femrat e shëndetshme mund të jenë pjesë e botës së modës, pavarësisht trupit që kanë, si dhe mund të veshin çdo gjë që vesh një vajzë apo grua e dobët. Unë sot, për shembull, jam veshur me të bardha. Njerëzit thonë se gratë e shëndosha nuk mund të veshin gjëra të bardha, sepse i bëjnë të duken më keq. Unë them se e bardha nuk të bën të dukesh e shëndoshë, këtë e bën ‘Fast Food’-i, prandaj përse të kufizohemi në zgjedhjet që bëjmë? Ne duhet të ndihemi mirë me veten”, tha Renata Poskus, organizatore e “Plus Size Fashion Week”.

Me shumë pasion u shpreh për këtë sfilatë edhe stilistja Dina Costa. “Unë jam vetë e shëndoshë, – tha ajo për “Reuters”. – Ndaj më gëzon fakti, që hapësirat për masat plus sa vjen e shtohen”.

Modelja dhe “blogger”-ja e modës, Paula Bastos i përshëndeti të gjithë ata, që dyshonin se ajo mund të kishte qenë ndonjëherë një ikonë bukurie, duke përfshirë këtu dhe veten. “Nuk e mendoja kurrë se do të vinte një ditë, që do të zbrisja në pasarelë. Kam qenë gjithmonë mbipeshë, gjithmonë e shëndoshë, por sot ndihem mirë kur mendoj se, pikërisht mënyra si shfaqet trupi im mund të ndikojë në jetët e shumë grave të tjera”, është shprehur vajza.

Top Channel