Majat e maleve që marrin më shumë jetë njerëzish

23/07/2015 00:00

Pasioni dhe aventura deri në kufijtë e çmendurisë janë ndjesitë, që i shtyjnë alpinistët të sfidojnë malet më të larta në planet.

Por, pasioni për të arritur majat nuk shpërblehet gjithmonë me sukses, pasi çdo vit, qindra alpinistë humbin jetën në tentativë për të ngjitur malet më të larta.

Kushtet atmosferike, mungesa e guidës, mungesa e eksperiencës, si dhe faktorë të tjerë janë disa nga shkaqet e aksidenteve vdekjeprurëse.

Sipas një klasifikimi të bërë nga portali online “Adventure Journal”, 8 janë malet që kanë marrë më shume jetë njerëzish dhe që paraqesin rrezikshmëri shumë të lartë.

1. “Mont Blanc”, apo Mali i Bardhë në Francë, ka marrë më shumë se 6 mijë jetë njerëzish. Ndërkohë llogaritet se 100 persona vdesin çdo vit, në tentativë për t’u ngjitur në majën më të lartë të alpeve franceze.

2. Në vendin e dytë të klasifikimit renditet mali Annapurna, i cili është pjesë e masivit malor të Himalajeve. Në këtë mal humbin jetën çdo vit, të paktën 50 persona.

3. Në vendin e tretë, si më i rrezikshmi, është mali K2, edhe ky pjesë e Himalajeve. Sipas të dhënave, këtu humb jetën një person çdo 4 ditë.

4. Kilauea është vullkani më aktiv në ishujt Hauai, duke e bërë atë një vend tërheqës për miliona turistë nga mbarë bota. Por, çlirimi i dioksidit të squfurit dhe llavës kanë bërë, që ekspertët ta klasifikojnë këtë mal si më të rrezikshmin në SHBA.

5. I pesti është sërish një mal vullkanik. Mali Rainier në SHBA konsiderohet si shumë i rrezikshëm, pasi nëse shpërthen llava, së bashku me borën që mund të shkrijë për shkak të nxehtësisë, mund të vërshojë në zonat e banuara dhe mund të rrezikojë jetën e mijëra banorëve.

6. Mali Hood, i ndodhur në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është i gjashti më i rrezikshëm në botë. Deri tani, aty kanë humbur jetën 130 persona.

7. Mali Uashington, për shkak të kushteve të paqëndrueshme, renditet në listën e maleve më të rrezikshëm. Deri tani kanë vdekur më shumë se 130 persona.

8. “Olimp Mons” është klasifikuar si një mal vdekjeprurës, por deri tani askush nuk ka humbur jetën, sepse ndodhet në planetin Mars. Ky mal është 3 herë më i lartë se Himalajet.

Top Channel