Si të organizoni pushimet vetëm me fëmijët

15/07/2015 00:00

Ndodh shpesh që njëri prej prindërve nuk mund të bëjë pushime me pjesën tjetër të familjes. Në këtë rast, mos i privoni fëmijët nga ajri i detit apo i malit, por merrini me vete për të shijuar pushimet.

Por, nëse zbatoni këtë ide dhe keni më shumë se një fëmijë të vogël, relaksi dhe qetësia do t’u kthehen në një film triller. Pra, keni frikë se nuk do të keni asnjë minutë për veten tuaj, madje as të bëni dot një banjë, duke kaluar gjithë kohën me fëmijët, dhe duke përballuar e vetme të gjitha të papriturat. Por, që të kënaqeni mjafton të zgjidhni vendin e duhur, të lidheni me nënat e tjera dhe t’i mësoni fëmijët para nisjes.

Katër këshilla që të kaloni pushime sa më te qeta:

Vendi i duhur

Kur mendoni të bëni pushime vetëm me fëmijët gjëja e parë që duhet të keni në mendje kur zgjidhni vendin është që të mos jetë i izoluar dhe larg të gjitha shërbimeve. Në rast nevoje, nëse nuk do të gjenit një farmaci apo një pediatër do të ishte një tragjedi e vërtetë. Por mos zgjidhni as vendet me shumë njerëz dhe kaotike, pasi do të përjetonit ankthin e humbjes së fëmijës mes turmës. Më e mira është ajo që quhet zgjedhja e mesme. Gjeni një vend që arrihet lehtë me makinë apo tren, me një klimë të mirë, ku nuk bie shi shpesh, nuk fryn shumë erë, dhe një vend ku plazhin, shëtitjen, kopshtin, pazarin, t’i keni afër qoftë dhe me një shëtitje.

Organizohuni me nënat e tjera

Të niseni me pushime me disa nëna me fëmijë është një rast shumë i mirë për të kaluar pushime me fëmijët. Duke u organizuar me njëra-tjetrën do të keni mundësi të laheni në det, të vendosni kremin kundër diellit, të lexoni dy- tre faqe të një libri etj. Por kujdes, nuk duhet të shpenzoni shumë. Merrni çadër, kabinë, banjë, dush të ngrohtë por jo sallë lojërash me pagesë në plazh. Nëse vendosni të shkoni në mal zgjidhni të jenë në lartësi mesatare, dhe në hotele “family friendly”. Por specialistët i këshillojnë pushimet malore për në fundjavë.

Organizoni ditën

Pushimet janë të mira dhe kur improvizohen. Por nëse je me fëmijë kjo nuk vlen. Për këtë duhet të organizoni një rutinë të përditshme, pjesë të së cilës të bëni edhe fëmijët. Oraret, jo shumë të ashpra, janë të rëndësishme për mirëqënien e fëmijëve. Vakte të rregullta të ushqimit në vende mundësisht të qeta, një orar ideal për gjumin.

Flisni me fëmijët

Që të mos zhyteni në një det stresi është e rëndësishme të bëni të qarta disa gjëra me fëmijët. Nëse fëmijët janë të mëdhenj për të biseduar është e rëndësishme t’u vendosni disa rregulla. Por mos harroni t’u shpjegoni se jeni vetëm dhe i pëlqen të ndajë momente të bukura me fëmijët e saj, por edhe të vegjlit duhet të respektojnë relaksin e të rriturve. Si për shembull, mos të kenë shumë teka apo kërkesa të ekzagjeruara.

Top Channel