Do të shkojmë me pushime… 6 këshilla si ta mbrojmë shtëpinë nga hajdutët

09/07/2015 00:00

Në kulmin e sezonit veror të pushimeve kërcënimi kryesor është vjedhja e shtëpisë. Pasi largohemi për një periudhë disaditore, sigurinë e shtëpisë ia lëmë çelësit të derës kryesore apo dikujt që kemi të besuar.

Ja gjashtë këshilla se si të mbrojmë shtëpinë kur jemi me pushime:

Para së gjithash merrni të gjitha çelësat që i keni fshehur jashtë shtëpisë. “Nuk besojmë se do të ishit aq të pavëmendshëm dhe të vendosnit çelësin poshtë një guri apo tapetit të derës. Të gjithë e dinë se çfarë mund të ketë poshtë një guri, një tapeti apo një vazoje lulesh”, thonë ekspertët e policisë.

E dyta, u kërkoni fqinjve të parkojnë makinat e tyre në vendin tuaj, kur ju nuk jeni. “Duhet të duket sikur në shtëpinë tuaj jeton dikush, edhe pse ju nuk jeni”, thonë ekspertët.

E treta, kërkojini dikujt të merret me kopshtin e shtëpisë, nëse keni shtëpi private. “Kur njerëzit largohen me pushime, kopshtet që janë të kuruara mirë, nuk do të duken si të braktisur”, sugjerojnë ekspertët.

E katërta, për të njëjtën arsye për të mbrojtur shtëpinë janë edhe plehrat. Mund t’ju duket e çuditshme por nuk është ide e keqe t’u kërkoni fqinjëve të hedhin plehrat në koshin tuaj. “E thamë që qëllimi kryesor është që shtëpia të duket sikur jetojnë njerëz”.

E pesta, më e rëndësishmja: Lajmëroni fqinjët tuaj nga të katër anët e shtëpisë se po largoheni. Në këtë mënyrë jeni të mbuluar nga çdo cep.

E fundit në listë: Nëse do të hidhni në rrjete sociale foto të pushimeve tuaja të mrekullueshme, shpërndajini ato vetëm me miqtë dhe familjarët. Mund t’i postoni fotot kur të ktheheni në shtëpi.

Top Channel