Të dielën, Izraeli e deklaroi të vdekur ushtarin që ishte marrë peng nga militantët islamik të Hamasit në Rripin e Gazës, si dhe shtoi se do të vazhdojë luftën ndaj kësaj organizate edhe pasi ushtria të kompletojë misionin e shkatërrimit të të gjithë tuneleve përgjatë kufirit, të cilat përdoren nga luftëtarët palestinezë për të shkelur në territorin izraelit.
Ndërkohë që një televizion izraelit tregoi pamje të drejtpërdrejta të disa tankeve, që tërhiqeshin nga Gaza, në atë që mund të konsiderohet si një tërheqje sado e vogël nga fushata 26-ditore e sulmeve, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Hamasi do të paguajë “një çmim të patolerueshëm”, nëse vazhdon të sulmojë Izraelin.
Me sa kuptohet, Hadal Goldin, ushtari 23-vjeçar izraelit, i cili dyshohej të ishte marrë peng nga militantët e Hamasit të premten, është vrarë në detyrë e sipër gjatë një operacioni në Jug të Rripit të Gazës, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
“Një komitet special i udhëhequr nga shefi i Forcave izraelite të Mbrojtjes (IDF), Rabbi, njoftoi vdekjen e oficerit të këmbësorisë së Brigadës së Givatit, toger Hadar Goldin, i cili është vrarë gjatë luftimeve në Rripin e Gazës, më 1 Gusht 2014”, lexohej në deklaratë.
Krahu i armatosur i Hamasit tha të shtunën se nuk kishte ende të dhëna të qarta mbi vendndodhjen e Goldin, duke shtuar se ai mund të ishte vrarë gjatë një prite në Jug të Rripit të Gazës, në të cilin u vranë edhe 2 ushtarë të tjerë izraelitë.
Ndërkohë, zëdhënësi i Hamasit është shprehur se “Netanyahu do të paguajë për çdo minutë, që ai shpenzon për të ndërmarrë më tepër agresione ndaj popullit palestinez”.
Izraeli e nisi fushatën e sulmeve ajrore në Gaza më 8 Korrik, duke e përshkallëzuar vazhdimisht atë. Nga bombardimet thuhet të jenë shkaktuar reth 1675 viktima mes palestinezëve, shumica civilë, si dhe 64 ushtarë izraelitë dhe 3 civilë.
Më shumë se 30 tunele dhe dhjetra nyje aksesi janë zbuluar dhe jashtë shkatërruar, bën të ditur ushtria izraelite.
Sa i përket bisedimeve për paqe në Gaza, delegacioni i Hamasit dhe ai i SHBA-ve mbërritën në Kajro. Por, përpjekjet e tyre për një pakt të ri paqeje në konfliktin izraelito-palestinez mbetën në tentativë, sepse Izraeli nuk mori pjesë në tryezë.
Top Channel