Një tjetër tragjedi në det, rreth 40 milje larg brigjeve të Libisë, në ujëra ndërkombëtare. Të paktën 206 persona u shpëtuan nga anijet italiane, të cilat kanë nxjerrë edhe 17 trupa të pajetë.
Por bilanci duket se është shumë më i rëndë. Sipas dëshmive, të pakonfirmuara nga autoritetet ushtarake, në barkën e mbytur udhëtonin gjithësej rreth 400 vetë.
Një orë pas mbytjes së peshkarexhës, anije ushtarake dhe tregtare italiane ndodheshin në vendin e ngjarjes në ndihmë të emigrantëve e në kërkim të të zhdukurve.
E menjëhershme edhe polemika në nivel të lartë politik. Ministri italian i Punëve të Brendshme, Angelino Alfano deklaroi se Europa nuk po e ndihmon Italinë e cila ka çuar anijet e saj për të shpëtuar të gjallët e për të nxjerrë të vdekurit.
Më pas kryeministri Matteo Renzi kërkoi me forcë mbështetjen e institucioneve europiane. “Europa nuk mund të shpëtojë shtetet e bankat dhe të lerë të vdesin nëna e fëmijë”, tha ai.
Komisioni Europian ka shprehur tronditjen për këtë tragjedi të re në ujërat mes Libisë e Lampeduzës dhe falenderon autoritetet italiane për punën e kryer.
Në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Europian për çështjet e brendshme është në program një diskutim pikërisht mbi përballimin e fenomenit të emigracionit në Mesdhe.
Top Channel