Dyshohet se plagosi për vdekje një foshnjë dhe e futi në një qese plehrash, arrestohet 20-vjeçarja
Detaje të reja janë duke dalë në dritë në lidhje me jetën e Princeshë Dianës, nga libri i vëllait të saj, Earl Spencer, “Swan Song: Diana, My Sister”, që pritet të publikohet më 22 shtator.
Në një nga fragmentet e librit, të publikuara fillimisht nga “Daily Mail” dhe të raportuara edhe nga mediat britanike, Mbretëresha Elizabeth II kishte menduar t’i rikthente Dianës titullin “Her Royal Highness” (Lartësia e Saj Mbretërore), të cilin ajo e humbi pas divorcit nga atëherë Princi Charles në vitin 1996.
Earl Spencer tregon se këtë informacion e kishte marrë nga Robert Fellowes, sekretari privat i Mbretëreshës dhe njëkohësisht kunati i tij, gjatë udhëtimit drejt Althorp, ku Diana do të varrosej privatisht pas funeralit.
Sipas rrëfimit të të vëllait të Princeshës së ndjerë, Fellowes i kishte thënë se Mbretëresha dëshironte t’ia rikthente Dianës titullin pas vdekjes. Vëllai i saj, megjithatë, thotë se e konsideroi këtë një “çmim ngushëllimi”, pasi Diana nuk ishte më gjallë për ta mbajtur atë titull.
Spencer shkruan se motra e tij ishte lënduar thellë nga humbja e titullit pas divorcit dhe se, po të ishte gjallë, ai beson se ajo nuk do ta kishte pranuar një rikthim të tillë pas vdekjes.
Libri sjell edhe pretendime të tjera për marrëdhënien e Dianës me familjen mbretërore dhe ditët që pasuan vdekjen e saj në vitin 1997. Disa prej këtyre deklaratave kanë nxitur reagim nga Buckingham Palace.
Pallati, në përgjigje të pretendimeve të publikuara më herët nga libri, deklaroi se dhimbja e humbjes së një motre ose vëllai mund të ndikojë në arsyetim, gjykim dhe kujtesë, duke mos pranuar kështu si të mirëqena të gjitha rrëfimet e Earl Spencer.
Libri Swan Song: Diana, My Sister do të publikohet zyrtarisht më 22 shtator dhe pritet të sjellë një sërë rrëfimesh personale të Earl Spencer për motrën e tij dhe familjen mbretërore.
Top Channel