Llalla: Përgjime dhe për korrupsionin

02/03/2014 00:00

Trafiku i drogës, vrasjet, krimi kundër pronës dhe dhuna në familje, shikohen si shqetësimet kryesore të 2013-s për Prokurorinë e Përgjithshme.

Në këtë raport, të dorëzuar në Kuvend, Prokurori i Përgjthshëm bën një pasqyrim të situatës së kriminalitetit në vend për vitin 2013, për ngjarje që kanë lidhje me sigurinë, por edhe hetimet që ka kryer organi i akuzës, për shkeljet e kryera nga vet punonjësit e shtetit, ku rezulton se janë hetuar për shpërdorimin e detyrës 455 punonjës, ndërsa në veprat kundër autoritetit të shtetit kryesojnë procedimet penale për shtetasit, që nuk i janë bindur urdhërit të policisë, me 164 shtetas nën akuzë, ndërsa 125 të tjerë janë marrë të pandehur nga Prokuroria, për akuzën e goditjes për shkak të detyrës.

Mes shqetësimeve të Prokurorit të Përgjithshëm radhitet edhe mbajtja në burg i të sëmurëve mendorë e, për këtë, Llalla kërkon nga Kuvendi një bashkëpunim ndërinstitucional për gjetjen e një zgjidhjeje, pasi këtyre personave – thuhet në raport – u duhet gjetur një ambient, ku të garantohen ruajtja dhe siguria e tyre.

Prokurori i Përgjithshëm propozon masa legjislative në kuadër të luftës kundër korrupsionit, për ndryshime në kodin e procedurës penale, në nenin 221, i cili flet për kufijtë e lejimit të përgjimit dhe – sipas kreut të akuzës – veç pikave që përmenden në këtë nen të shtohet përgjimi edhe për veprat korruptive, siç është rasti i korrupsionit aktiv të nëpunësve të huaj, korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë dhe të të zgjedhurve vendorë.

Në këtë pikë, Prokurori i Përgjithshëm sugjeron shtimin e garancive në ligj, për personin që kallëzon korrupsionin, për të shtuar në këtë mënyrë një urë bashkëpunimi me publikun kundër kësaj vepre.

Për sa i takon këtij problemi, Adriatik Llalla kërkon një rritje të vëmendjes për hetimin e korrupsionit si një vepër penale, që përbën problem serioz për shoqërinë, por – thotë Prokurori – kalimi i kësaj vepre nga një Prokurori në tjetrën nuk sjell detyrimisht ndryshime në mënyrën e hetimit apo gjykimit, megjithëse vëmendja duhet të përqendrohet – sugjeron Prokurori i Përgjithshëm – te zbatimi i legjislacionit, që normalisht mund të kërkojë edhe rishikim të kodit të procedurës penale.

Në këtë pikë, Llalla bie dakord për kalimin e veprave të korrupsionit te Krimet e Rënda, ndërsa shprehet i rezervuar për aplikimin e ligjit “antimafia” në këtë sektor veprash. Vrasja me paramendim – raporton Prokurori i Përgjthshëm – ka pësuar një rritje prej 6 përqind krahasuar me 2012-n, ndërsa ka pësuar ulje vrasja me dashje, sipas kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Dhuna në familje ka shënuar një numër të madh prej 826 raste procedimesh, me 791 të pandehur, ndërsa krahasuar me 2012-n – thotë Prokruori i Përgjithshëm, – kanë dalë para drejtësisë për këtë vepër 328 dhunues.

Më tej Prokurori i Përgjithshëm ngre shqetësimin për trajtimin e të miturve në rrugë, ku thuhet se nuk ekzistojnë institucione të posaçme që të përfshijnë në jetën sociale të miturit që lypin, sepse nëse do të aplikohej dispozita për të dërguar në burg prindërit e tyre – thotë Prokurori i Përgjithshëm, – nuk zgjidhet situata e këtyre fëmijëve, sepse përveçse ata mbeten pa prindër, në këtë rast atyre nuk u sigurohet një qendër ku të strehohen.

Prokurori përmend impenjimin e Policisë së Shtetit, për të rritur sigurinë në rrugë dhe shtimin – sipas Llallës – për 2013-n të procedimeve penale me 353 përqind më shumë, ose përkthyer në shifra konkrete, për vitin 2013 janë marrë si të pandehur për drejtim të mjetit në gjendje të dehur 1323 persona, nga 292 për vitin 2012.

Prokurori i Përgjithshëm konsideron si sukses, të bashkëpunimit me policinë dhe administratën tatimore, edhe procedimin për veprën e zhvillimit të palejuar të lojrave të fatit, me një rritje referimesh prej 747 rastesh.

Në marrëdhëniet me policinë, Prokurori i Përgjithshëm shton se refroma në kuadrin drejtues të saj krijoi ulje të ritmit të hetimeve, por kjo situatë zgjati për një kohë të shkurtër – thotë Llalla – pasi angazhimi me intestitet të lartë po u afrohet ritmeve të kërkuara.

Duke bërë një panoramim të situatës kriminale në vend për 2013-n, Prokurori i Përgjithshëm evidenton se numrin më të madh të procedimeve e zë vjedhja e pasurisë me 42 përqind, më tej vijohet me vepra kundër rendit dhe sigurisë publike me 20 përqind, krimet kundër jetës me dashje, ndërkohë që veprat me qëllime terroriste – në raport me procedimet e përgjithshme – zënë 0,01 përqind – thotë Prokurori i Përgjithshëm – me tre procedime të regjistruara për 2013-n.

Në lidhje me veprën penale të vetëgjyqësisë, Prokurori i Përgjithshëm thekson se janë regjistruar më tepër procedime të kësaj natyre në Tiranë, Fier, Vlorë dhe Shkodër, për të vijuar më pas me Elbasanin e Durrësin, ndërkohë që Përmeti dhe Saranda nuk kanë shënuar asnjë procedim për veprën e vetëgjyqësisë.

Top Channel