Marrja e një apartamenti me qira është bërë e papërballueshme jo vetëm në kryeqytet por dhe qytetet më kryesore me popullsinë më të lartë. Jo vetëm për të rinjtë por edhe për familjet e reja me fëmijë në varësi.

Kështu për të gjithë qytetarët që jetojnë në një strukturë të tillë, qiraja në prill i ka kushtuar 7.1% më shumë se 1 vit më parë. Këtë rritje të çmimeve të qirave e konfirmojnë dhe ndërmjetësuesit e pasurive të paluajtshme.

Arbër Brahaj me eksperiencë disa vjeçare në këtë treg tregon për Top Channel se shkak kryesor po kthehen qiratë afatshkurtra të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në këtë sektor.

“Teksa janë shtuar ndjeshëm, qiratë ditore me çmimet shumë të larta kanë ndikuar në tregun e qirave në përgjithësi, Kjo lidhet dhe me ofertën në treg e cila është shumë e kufizuar dhe kërkesa vijon të qëndrojë e lartë sidomos në Tiranë”, shprehet Arbër Brahaj, ndërmjetësues i pasurive të paluajtshme.

Edhe Banka e Shqipërisë si dhe Instituti i Statistikave raportojnë këtë ecuri Qiratë me çmimet e larta kanë udhëhequr inflacion në muajt e parë të vitit duke kapur vlerat më të larta të shtrenjtimit të regjistruar në vitet e fundit.(grafik)

“Kërkesa vijon të qëndrojë e lartë sidomos në sezonet turistike. Ndërsa zonat më të kërkuara mbeten ato të cilat janë afër zonës së qendrës, si dhe zonat në dalje të Tiranës për të shmangur trafikun si Astiri, Paskuqani, etj”, shprehet Brahaj.

Por në një situatë të tillë qytetarët a mund të presin për një stabilizim të çmimeve të qirave?

“Kjo do të vinte vetëm nëpërmjet kufizime të vendosura nga qeveria, si dhe rritjes së kontrollove sidomos për qiratë ditore një pjesë e mirë operon në informalitet. Të cilat duhet të paguajnë një vlerë të lartë tatimi të papaguar deri më tani. Atëherë mund të flasim për një stabilizim”, shton Brahaj.

Vetë ekspertët tregojnë se me zhvlerësimin e euros, një pjesë e pronave nuk jepen më me qira në euro por në lekë, duke patur kështu një çmim më të lartë qiraje.

 

Top Channel