Brazil-Spanjë, e gjithë bota bëhet gati

29/06/2013 00:00

Nuk do të jenë thuajse 200 mijë tifozët e të famshmes Brazil-Uruguai të
vitit 1950, por të dielën, stadiumi “Marakana” i Rio De Zhaneiros do të
përjetojë një tjetër ndeshje të madhe, ndoshta atë më të shumëpriturën
në skenën ndërkombëtare në vitet e fundit.

Pas 14 vitesh pritjeje, Brazili dhe Spanja do të vihen përsëri përballë njëra-tjetrës, për të fituar Kupën e Konfederatave, por edhe për të matur realisht forcën një vit para aktivitetit që ka rëndësi, Botërorit 2014.

Brazili

Jo më kot quhet “atdheu i futbollit”, pasi aty ky sport është pjesë e jetës, nga mëngjesi deri në darkë. Brazilianët nuk kanë më shkëlqimin e viteve të mëparshme dhe kanë humbur etiketën e skuadrës më të mirë në botë prej disa vitesh, falë një procesi rinovimi që po zgjat më shumë se zakonisht. Por talenti i padiskutueshëm i skuadrës që ka tani në dispozicion Skolari ka bërë që ky i fundit të rreshtojë katër sulmues në këtë turne. Jashtë skuadrës mbeten emra si Kaka, Ronaldinjo, Pato apo Robinjo, por tani Brazili është përsëri më shumë një skuadër sesa lojë individësh, ndaj më e paparashikueshme për çdo kundërshtar. Latino-amerikanët vijnë në këtë finale si fitues në fuqi të trofeut dhe pretendentë kryesorë për fitoren, të shtyrë nga entuziazmi i një tifozerie e cila pas shumë vitesh zhgënjime është kthyer përsëri të duartrokasë kombëtaren e vet.

Spanja

Nëse Brazili ka lëshuar titullin e skuadrës më të fortë në botë, e ka bërë sepse në skenë janë ngjitur “furitë e kuqe”. Cikli i nisur në vitin 2008 me fitoren në Europian, ka vazhduar me Botërorin 2010 dhe Euro 2012, ndërsa kjo është finalja e katërt ndërkombëtare në vetëm 5 vite, një rekord absolut në këto nivele. Bërthama e “brezit të artë” të iberikëve vazhdon të jetë e njëjta, e ndarë mes Barcelonës dhe Real Madridit, ku tani ndërthuren edhe “emigrantët” e kampionatit anglez si Mata, Torres, Silva e së fundmi edhe Navas. Stili i lojës me mbajtjen pafund të topit është kthyer tashmë në masën matëse për çdo kombëtare. Mjafton të pyesësh Gjermaninë, Holandën e Italinë që në tri finalet e këtyre viteve përballë Spanjës e kanë parë shumë rrallë sferën përballë kësaj skuadre. Iberikët, edhe pse e cilësojnë veten jofavoritë, shkojnë në këtë finale me 29 ndeshje zyrtare radhazi pa humbje dhe një ide të qartë, atë të fitores së një tjetër trofeu, të vetmit që i mungon në ciklin e jashtëzakonshëm që filluan 5 vite më parë. Por ajo që është më e rëndësishme, duan të mundin Brazilin, që cilësohet nga të gjithë si “masa matëse” për të përcaktuar nëse një skuadër meriton apo jo titullin e më të fortit në arenën ndërkombëtare, më shumë se çdo trofe i fituar.

Historia

Dyja skuadrat janë ndeshur 8 herë mes tyre në të kaluarën, ku 5 janë ndeshje zyrtare dhe 3 janë miqësore. Takimi i parë zyrtar është ai i vitit 1934, i fundit është ai i vitit 1986, në të dy rastet një Botëror. Ndërsa miqësorja e fundit është në vitin 1999, një 0-0 pa shumë histori. Por atëherë ishte një Brazil tjetër që shkonte drejt një titulli botëror, ashtu si edhe një Spanjë tjetër, ku nuk luanin ende fëmijët e tmerrshëm, të cilët disa vite më vonë do t’i jepnin leksion gjithë botës me vallëzimin që mori emrin “tiki-taka”. Por të dy skuadrat e dinë mirë paralajmërimin historik: kush ka fituar Kupën e Konfederatave, nuk ka fituar Botërorin pasardhës. Fitoftë më i miri!

 

Top Channel