Siria, Kerry dënon aleancën Assad-Hezbollah

23/05/2013 16:10

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, e konsideroi “kriminale” pjesëmarrjen e grupit militant libanez të Hezbollahut, në luftimet përkrah presidentit Bashar al-Assad.

Pasi disa dhjetëra luftëtarë të organizatës shiite, të konsideruar si terroriste nga Izraeli, u vranë gjatë javës në betejë me kryengritësit në Siri, Kerry dënoi pjesmarrjen e Hezbollahut në luftë, duke thënë se diçka e tillë ndikon dukshëm në rritjen e dhunës dhe brutalitetit të luftës civile në Siri.

”Hezbollahu dhe Irani janë duke ndihmuar presidentin Bashar al-Assad që të përmbushë fushatën e tij të terrorit në mbarë vendin e gjunjëzuar nga lufta”, akuzoi Kerry.

Zyrtarisht, Hezbollahu vazhdon te mohoje perfshirjen direkte ne luftimet ne Siri, pavaresisht provave qe flasin per te kunderten.

Deklarata e Sekretarit të Shtetit vjen ndërsa forcat qeveritare lëshuan ditën e enjte një mësymje të gjerë, me synim pushtimin e Qusairit, një qytet me një rëndësi të madhe strategjike, aktualisht në duart e kryengritësve.

Qusairi është një nyje e rëndësishme, që ndodhet në kufi me Libanin dhe lidh Damaskun me Homsin e me pjesën jugore të vendit.

Të paktën 80 mijë sirianë kanë humbur jetën në luftën civile 26 mujore, sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Mbi 1,5 milionë sirianë janë vendosur në kampet e refugjatëve të luftës në vendet fqinje, ndërsa rreth 3 milionë të tjerë besohet se kanë migruar brenda vendit, për t’iu larguar zonave të luftimit ose si rrjedhojë e shkatërrimit të banesave të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA