Katër gazetarë italianë janë rrëmbyer në veri të Sirisë, mes rajonit të Idlibit dhe atij turk të Hatajit. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme italiane, që ka deklaruar se po e ndjek çështjen që nga momentet e para dhe se është në kontakt me familjarët e pengjeve.
“Prioriteti ynë është siguria e reporterëve”, ka njoftuar Roma zyrtare, duke shtuar se aktualisht është e nevojshme që autoritetet të tregohen të rezervuara ndaj mediave.
Të rrëmbyerit janë: gazetari Amedeo Ricucci, i programit të njohur të Rait “La storia siamo noi”, fotografi Elio Colavolpe, dokumentaristi Andrea Vignali dhe reporterja e pavarur Susan Dabbous, që po realizonin një reportazh me titullin “Heshtja vret”.
Ata kishin hyrë në Sirinë e kontrolluar nga rebelët më 2 prill nga Turqia dhe në program kishin që të rihynin çdo mbrëmje në territorin turk, për të vendosur kontakte më Italinë.
Sipas hetimeve paraprake, gjurmët e tyre u zhdukën më 4 prill, kur gjatë kohës së drekës ishte parashikuar një lidhje në Skype me disa kolegë në Romë. Që prej atëherë sinjalet e celularëve të tyre satelitorë janë të paarritshëm.
Burime gazetareske siriane dhe të huaja, të pranishme në rajonin turk të Hatajit, kanë deklaruar të premten se gazetarët ndodheshin në fshatin Jakubija, në veri të Idlibit, në gjendje arresti, me siguri nga militantë fondamentalistë. Sipas të njëjtave burime ata janë arrestuar pasi kanë xhiruar dhe fotografuar baza ushtarake.
Top Channel