Real-Bajern interesohen për Vidal

27/03/2013 19:25

Ndërsa në vitet e fundit, Juventusi është mësuar që të jetë protagonist i merkatos italiane, duke realizuar përforcime të shumta, në këtë sezon, për herë të parë kampionët e Italisë duket se do të përballen me një ofensivë të klubeve të mëdha, për yjet e tyre.

I pari që ka tërhequr vëmendjen është mesfushori Arturo Vidal, i cili ka një kontratë deri në 2016-n, por që nuk pengon klube të mëdha që të jenë të gatshme të ofrojnë shuma të rëndësishme për të.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, e cila citoi burime të besueshme, për kilenin janë realizuar kontaktet e para me Bajernin e Mynihut dhe Realin e Madridit, që do të ishte edhe destinacioni i preferuar për Vidal.

Nga pikëpamja ekonomike, në çdo rast Juventusi pritet të dalë i përfituar, pasi futbollistin që bleu për 10,5 milionë euro nga Leverkuseni, pritet që ta shesë për një vlerë midis 30-40 milionëve.

Megjithatë, në ditët e fundit, për Vidalin po shfaqet edhe mundësia e kalimit në “Camp Nou”. Gjithmonë sipas të përditshmes italiane, Alexis Sanchez ka shfaqur pakënaqësinë e tij për minutat e pakta që ka në radhët e katalanasve dhe Barça mund të ofrojë shkëmbimin kokë më kokë mes dy bashkëkombasve.

Një mundësi e tillë do të ishte e parapëlqyer për Juventusin, që ka shfaqur gjithmonë një vlerësim të lartë për Alexis, ish-futbollistin e Udineses, që do të ishte në gjendje të përforconte skuadrën atje ku ka ajo më shumë nevojë, në repartin ofensiv.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA