Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga Kopliku, theksoi se 23 qershori do të jetë dita kur do të marrë jetë një mënyrë e re qeverisjeje, që do të ketë në qendër Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Me votën për Partinë Socialiste në 23 qershor, të gjithë do ta kuptojnë se nuk do të japin një votë për tifozllik, por do të japin një votë për një program, që do të ndryshojë situatën ekonomike, do të ndryshojë situatën në sistemin e shëndetësisë dhe kujdesin shëndetësor për njerëzit, do të ndryshojë situatën në fshat, ku ne jemi shumë të vendosur për bërjen e disa politikave të reja nxitëse, për të lehtësuar njerëzit që duan të jetojnë me punën me tokën, në bujqësi apo në blegtori, duke ulur kostot e prodhimit dhe duke u dhënë mundësi që të dalin në treg e të shesin”, tha Rama.
Një tjetër pikë, ku zoti Rama është ndalur, është edhe domosdoshmëria për hapjen e shkollave profesionale, si një mënyrë për t’i dhënë shtytje sektorëve prioritare të vendit, mes të cilëve edhe atij të bujqësisë dhe blegtorisë.
“Kjo është një nga sfidat tona dhe ne duam ta rrokim edhe këtë sfidë, për t’i dhënë të rinjve mundësi që të punojnë me zanatin e tyre dhe, jo vetëm të punojnë, por edhe të fitojnë lek e të mund të mbajnë nesër familjen e tyre me një biznes të vogël”, shtoi Rama.
Sipas zotit Rama do t’i jepet fund çdo monopoli në fushën e bujqësisë, duke i dhënë frymëmarrje këtij sektori.
“Unë do të jem mbrojtësi më i flaktë i prodhimit të çdo fermeri dhe bujku shqiptar në të gjithë Shqipërinë. Transformimi në fshat do të jetë i jashtëzakonshëm, sepse njerëzit do të fillojnë t’ia shohin hajrin prodhimit, të mundit dhe sakrificave të tyre. Dhe kjo, duke u bërë zot në shtëpitë e tyre, jo me çifte në shpinë për të mbrojtur shtëpitë nga hajdutët, por me punën e tyre dhe respektin që vjen nga puna”, deklaroi Rama.
Ashtu si politikat e reja të punësimit, që kryesocialisti zgjodhi t’i sillte përmes një batute:
“Kush do punë, duhet të heqë Saliun nga puna. Kush nuk do të shkojë në azil, duhet të çojë Saliun në azil. Ai është moshë e tretë”, përfundoi Rama.
Top Channel