Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili për kohë të gjatë pranonte mundësinë që të ishte pjesë e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës, pas dështimit të kësaj mundësie duket se ka ndryshuar qëndrim.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme dhe mundësinë e qeverisjes së vendit, ai ka pohuar se PDK-ja do të ishte mundësia e fundit për koalicion, ndërsa ka thënë se nuk përjashton LDK-në e as Vetëvendosjen.

“Ne synojmë partnerë mundësisht jashtë PDK-së. Kjo do të thotë se në rrethana të jashtëzakonshme mund të bashkëpunojmë, por synojmë jashtë PDK-së. Ata nuk e kanë të gjatë. Ndërkohë, ne nuk përjashtojmë as Vetëvendosjen e as LDK-në. E fundit PDK-ja”, ka deklaruar Haradinaj.

Më 4 shkurt, në takimin që u zhvillua ndërmjet kryeministrit dhe njëherësh kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, nuk u arrit marrëveshja për bashkëqeverisje, e cila përflitej prej kohësh.

AAK kishte kërkuar postin e kryeministrit, gjë që ishte e papranueshme për PDK-në, e cila ka shumicën në Kuvend. Haradinaj i bëri këto komente nga selia e AAK-së, ku 47 anëtarë të rinj aderuan në partinë e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA