Shpërthimi i një autobombe që kish vënë në shënjestër zyrat qendrore të partisë së presidentit Bashar al-Assad, vrau të paktën 53 persona dhe plagosi dhjetra të tjerë.
Shpërthimi ndodhi në një lagje të konsideruar të sigurtë të Damaskut. Agjencia shtetërore e lajmeve raporton se vala e shpërthimit preku edhe Ambasadën Ruse. Raportimet nuk flasin për të lënduar nga personeli diplomatik rus, megjithëse pamjet e ofruara vënë në dukje dëmtim të konsiderueshëm të godinës.
Pjesa më e madhe e viktimave të sulmit janë civilë, ndërkohë që është e paqartë autorësia e shpërthimit gjakatar. Shpërthimi plagosi mbi 230 persona dhe 17 makina u përfshinë nga flakët.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Londër, thotë se bomba shpërtheu në një postbllok të ushtrisë qeveritare, përpara zyrave qendrore të Partisë Baath. Selia e kësaj partie ndodhet në një zonë mjaft të populluar dhe e rrethuar nga lagje me refugjatë irakianë dhe banorë jomuslimanë.
Është e paqartë nëse autori është vetëvrarë në shpërthim apo ka parkuar makinën e më pas e ka hedhur në erë atë në distancë. Koalicioni Kombëtar i Revolucionit Sirian, organizmi i opozitës u distancua nga akti. Nëpërmjet një postimi në Facebook, ky koalicion akuzoi presidentin Assad se po bombardon zonat civile në shumë qytete të vendit.
Lufta civile në Siri ka marrë një përshkallëzim drastik ditët e fundit. Burime të opozitës flasin për shpërthime dhe përleshje me armë në periferi të kryeqytetit, ndërsa raportohet për bombardime mortajash mbi selinë qendrore të ushtrisë së regjimit.
Organizata e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për trajtimin e konfliktit sirian në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve, ndërsa flet për më shumë se 72 mijë të vrarë që nga nisja e protestave kundër Assad.
Top Channel