Sir Alex Ferguson, trajneri i Manchester United, e ka konsideruar si një “spektakël fantastik” ndeshjen ndaj Real Madrid, që do të luhet të mërkurën në orën 20:45.
“Do të jetë një përballje mes dy skuadrave që janë nga më të mirat në botë. Mendoj se një ndeshje si kjo është edhe më e bukur se Manchester-Barcelona”, deklaroi trajneri skocez në një intervistë për revistën zyrtare të klubit anglez.
“United dhe Madrid kanë një lidhje të bukur historike dhe përballja mes tyre mbase është ndeshja më tërheqëse që mund të ofrojë Liga e Kampioneve”, shtoi Ferguson.
Skocezi foli edhe për pritjen që do i rezervohet Cristiano Ronaldos në Old Trafford, stadiumit ku portugezi i madrilenëve u bë i famshëm: “Do të pritet siç e meriton sepse ka qenë një futbollist fantastik për ne. Por, kur të nisë loja tifozët janë të lirë ta vërshëllejnë sa të duan (qesh).”
Ferguson shpalosi edhe objektivat e ndeshjes së parë: “Duam të kthehemi me një rezultat të mirë nga Spanja. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë të shënojmë të paktën një gol në Bernabeu. Nëse shënojmë, do të jemi në pozita të mira për ndeshjen e kthimit.”
Top Channel