Shitja e ‘Parkut të Princave’ te PSG, kryebashkiaku i ri i Parisit do të rinisë diskutimet
Në Buenos Aires ka nisur sot procesi i ri gjyqësor ndaj shtatë personave të akuzuar për “vrasje të mundshme prej neglizhencë” në lidhje me vdekjen e Diego Armando Maradonës, një prej figurave më të mëdha në historinë e futbollit botëror.
Seanca po zhvillohet në gjykatën e San Isidros, ku janë të pranishme edhe familjarët e ish-yllit argjentinas. Në sallën e gjyqit kanë mbërritur vajzat e tij Dalma, Giannina dhe Jana, ish-bashkëshortja Verónica Ojeda, si dhe motrat Rita, Ana dhe Claudia. Jashtë gjykatës, Ojeda deklaroi për mediet se familja kërkon vetëm drejtësi dhe që procesi të përfundojë sa më shpejt, pas një periudhe të gjatë pritjeje dhe tensioni.
Avokati i vajzave të Maradonës, Fernando Burlando, u shpreh se pret një vendim fajësie ndaj të akuzuarve, duke theksuar se familja është e lodhur nga zvarritjet procedurale dhe se një nga objektivat kryesorë të palës civile është të shmangen manovrat vonuese të mbrojtjes.
Ky proces i ri vjen pas anulimit të gjyqit të mëparshëm për shkak të parregullsive që kishin të bënin me gjyqtaren Julieta Makintach, e cila ishte përfshirë në një projekt dokumentar mbi çështjen. Fillimisht seancat ishin planifikuar të nisnin më 17 mars, por u shtynë dhe u riorganizuan nga gjykata. Sipas kalendarit të ri, numri i seancave javore është reduktuar nga tri në dy, ndërsa lista e dëshmitarëve është shkurtuar nga 178 në 90 persona.
Në bankën e të akuzuarve ndodhen anëtarët e stafit mjekësor që trajtuan Maradonën pas ndërhyrjes kirurgjikale në tru: neurokirurgu Leopoldo Luque, psikiatrja Agustina Cosachov, psikologu Carlos Díaz, infermieri Ricardo Almirón, koordinatori Mariano Perroni, përfaqësuesja e sigurimeve Nancy Forlini dhe mjeku Pedro Di Spagna. Maradona ndërroi jetë më 25 nëntor 2020 në moshën 60-vjeçare, ndërsa autopsia konfirmoi si shkak kryesor edemën pulmonare akute të shkaktuar nga insuficienca kardiake.
Top Channel