Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, ka kritikuar ashpër arbitrimin pas eliminimit të skuadrës së tij nga Atletico Madrid në çerekfinalet e UEFA Champions League të martën.

Futbollisti brazilian, i cili nuk luajti për shkak të një dëmtimi në muskul, u pa duke bërë gjeste provokuese drejt tifozëve vendas në stadiumin Metropolitano Stadium pas përfundimit të ndeshjes. Ai gjithashtu sinjalizoi me duar sikur skuadra e tij ishte “vjedhur”.

Barcelona fitoi 2-1 në ndeshjen e kthimit, por kjo nuk mjaftoi për të përmbysur humbjen 2-0 të pësuar në shtëpi një javë më parë.

“Për mua, kjo ishte një vjedhje. Jo vetëm kjo ndeshje, por edhe tjetra,” deklaroi Raphinha për gazetarët. “Arbitrimi ishte shumë i dobët. Vendimet ishin të pabesueshme. Atletico bëri shumë faulle dhe arbitri nuk dha asnjë karton të verdhë.”

Në përballjen e parë, Barcelona mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Pau Cubarsí, ndërsa në ndeshjen e kthimit u ndëshkua me karton të kuq edhe Eric García në minutën e 79-të.

Klubi katalanas ka shprehur pakënaqësi edhe për vendime të tjera të arbitrimit në të dyja ndeshjet, duke përfshirë një penallti të mundshme në favor të tyre në takimin e parë dhe një tjetër rast të diskutueshëm në ndeshjen e kthimit.

“Do të doja të kuptoja frikën që kanë për të parë Barcelonën duke fituar,” shtoi Raphinha.

Top Channel