Chivu i mbyll gojën kritikave, Interi gati të shpërblejë trajnerin rumun me rinovim të kontratës

15/04/2026 11:05

Në fillim të sezonit kishte shumë pikëpyetje, por Cristian Chivu ka arritur të përmbysë çdo parashikim duke u shndërruar në protagonist te Inter.

Trajneri rumun është vetëm një hap larg fitimit të titullit kampion në Serie A, në sezonin e tij të parë në krye të zikaltërve.

Pas një vere të vështirë, ku skuadra vinte nga zhgënjimi i humbjes në finalen e Champions League në Mynih, Chivu zgjodhi të punojë në heshtje dhe të rindërtojë mentalitetin e ekipit.

Rezultatet nuk kanë munguar, duke e kthyer Interin në një skuadër solide dhe pretendente kryesore për titullin.

Drejtuesit e klubit, në bashkëpunim me fondin Oaktree Capital Management, janë të bindur për të ardhmen dhe po shqyrtojnë seriozisht zgjatjen e kontratës së trajnerit. Marrëveshja e re pritet ta lidhë Chivu-n me klubin deri në vitin 2028, me opsion për një sezon shtesë dhe me një rritje të ndjeshme page.

Nga 2.5 milionë euro që përfiton aktualisht, paga e tij mund të shkojë deri në 4-5 milionë euro në sezon, duke e vendosur në të njëjtin nivel me trajnerë si Massimiliano Allegri dhe Gian Piero Gasperini.

Ndërkohë, drejtori sportiv Piero Ausilio po punon për të ndërtuar një skuadër që i përshtatet më shumë ideve të trajnerit rumun. Emra si Ademola Lookman dhe Manu Koné kishin qenë objektiva edhe verën e kaluar, por nuk u arrit marrëveshja.

Për sezonin e ardhshëm priten ndryshime të rëndësishme, përfshirë edhe një kalim të mundshëm në një skemë me katër mbrojtës, që do të reflektojë më qartë filozofinë e trajnerit.

Top Channel