Komisioneri nga aftësia e kufizuar

03/01/2013 00:00

Këshili i Aftësisë së Kufizuar mbështet iniciativën e Avokatit të Popullit për të propozuar që një nga komisionerët apo numri dy i këtij institucioni të zgidhet nga radhët e tyre.

Sipas Sinan Tafajt, kjo iniciativë ka vlera sociale dhe rrit shanset për personat me aftësi të kufizuara, qoftë i verbër, paraplegjik apo tetraplegjik.

“Kjo nismë në mënyrë të fuqishme rrit shanset për këtë kategori, pasi është hera e parë që individët do të kenë përfaqësuesin e tyre, që do të mund të raportojë edhe në Parlament. Ne e përshëndesim avokatin për nismën e tij dhe e mbështesim atë”, ka thënë Tafaj.

Personi i cili do të propozohet nga Avokati i Popullit duhet të plotësojë kritere si të gjithë të tjerët. Të jetë jurist, të këtë eksperiencë pune dhe të jetë marrë me të drejtat e njeriut.

Siaps Tafajt, në radhët e tyre ka persona që i përmbushin këto kritere, me përjashtim të eksperiencës, pasi kësaj kategorie nuk i është dhënë mundësia të punojë në administratën shtetërore.

“Ka shumë persona, si për shembull juristë të verbër, por çështja është sa i përket eksperiencës, që është e ndryshme. Atyre nuk u janë dhënë mundësitë për të punuar në administratën publike”, ka nënvizuar Tafaj.

Kandidaturat duhet të dorëzojnë dosjet e tyre brenda datës 8 janar, pranë institucionit të Avokatit të Popullit e më pas kandidatura më e mirë do të propozohet në Parlament për t’u aprovuar me votë nga deputetët.

Top Channel