Florentino Perez është rizgjedhur president i Real Madrid, pasi fitoi bindshëm zgjedhjet kundër rivalit të tij, sipërmarrësit 39-vjeçar Enrique Riquelme. Me këtë fitore, Perez merr mandat pwr tw qwndruar në krye të klubit madrilen deri në vitin 2030.

Për 79-vjeçarin, ky është mandati i tetë në drejtimin e “Los Blancos”. Ai ka qenë president i klubit nga viti 2000 deri në 2006 dhe më pas nga 2009 e deri më sot, duke u kthyer në presidentin më të suksesshëm në historinë e Real Madridit falë trofeve të shumtë të fituar në futboll, por edhe basketboll.

Ndërkohë, drejtuesi madrilen po përgatit edhe lëvizje të rëndësishme në merkato. Sipas raportimeve, Real Madrid ka arritur marrëveshje për rikthimin e trajnerit portugez José Mourinho, ndërsa po punon edhe për afrimet e Ibrahima Konate dhe Denzel Dumfries. Në listën e dëshirave mbetet edhe talenti i Bayern Munich, Michael Olise.

Pas shpalljes së rezultatit, Perez mbajti një fjalim të gjatë para anëtarëve të klubit: “Ne fituam në të gjitha grupmoshat e votuesve dhe arritëm rezultatin e dytë më të mirë në historinë e zgjedhjeve të klubit. Jam ende këtu për të mbrojtur Real Madridin.

Do të vazhdojmë të punojmë që Real Madrid të vazhdojë të fitojë trofe dhe do të luftojmë deri në fund për të fituar Kupën e 16-të të Kampionëve. Ju keni treguar përkushtimin dhe besnikërinë tuaj ndaj klubit. Ka fituar Real Madridi. I kemi dhënë botës një shembull demokracie, transparence dhe bashkëjetese.

Kemi treguar se jemi një familje e madhe, që e duam Real Madridin dhe që jemi gati për të ardhmen. Ne duam ta bëjmë klubin më të madh në botë edhe më të madh. Një Real Madrid i pavarur, që nuk ka frikë nga sfidat dhe pengesat. Do të vazhdojmë të jemi krenarë për stadiumin Santiago Bernabéu, stadiumin më të mirë në botë.

Krenarë që kemi lojtarët më të mirë në botë, krenarë që mirëpresim sërish një nga trajnerët më të mirë në botë, një madridist si Jose Mourinho. Dhe jini të sigurt se, me mua president, Real Madridi ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë pronë e anëtarëve të tij”.

Perez do të nisë tashmë mandatin e ri me synimin për të forcuar skuadrën dhe për të rikthyer Real Madridin në majën e futbollit europian, me objektivin e madh për të fituar Champions League-n e 16-të në histori.

Top Channel