Vlerësohen kampionët e peshëngritjes

16/04/2012 00:00

Kampioni i Europës në peshëngritje, Erkand Qerimaj është nderuar me një çmim prestigjoz nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, “për kontributin e dhënë në elitën e sportit europian dhe për tejçimin e ndjenjës së patriotizmit”.

Ashtu siç ndodhi edhe në pritjen në Aeroportin e Rinasit, në ceremoni munguan sërish personalitete të larta të qeverisë, duke u mjaftuar me një zëvendësministre.

“Ky është nderi më i madh që mund të më bëhet dhe vlerësimi më i madh. Të të vlerësojnë akademikët e shkencave është diçka e madhe. Unë ju premtoj që do shumë më tepër sepse me këtë rezultat do të kem më shumë stimul për t’u stërvitur me tepër”, falenderoi në fjalën e tij Erkand Qerimaj, Kampion i Europës në Peshëngritje.

Ndërkohë në të njëjtën ditë është nderuar e përgëzuar edhe nënkampionia e Peshëngritjes, Romela Begaj, nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, i cili ka inguaruar edhe rikonstruksionin e menjëhershëm që i është bërë palestrës së peshngritjes pranë ambienteve të stadiumit “Qemal Stafa”.

“Sot kam kënaqësinë dhe nderin të qendroj në krah të nënkampiones së europiane, por që është kampione për zemrat tona dhe për mendjet tona, Romela Begaj që na zbardhi faqen dhe na nderoi me rezultatet e jashtëzakonshme që korri dhe që e rendisin atë sot statistikisht për 360 gram numrin dy në Europë. Bashkia do të bëj punën e vet. Unë do t’i propozoj Këshillit Bashkiak dhe pres vendim unanim, që sipas akteve ligjore në fuqi të akordojë çmimin maksimal të mundshëm ligjor, prej 2 milion lekësh të reja”, tha kreu i Bashkisë, Lulzim Basha.

Ky Europian i Antaljas në peshëngritje u mbyll me sukses për Shqipërinë me dy medalje të arta për Qerimajn, një medalje argjendi për Romela Begaj dhe një bronzi për Daniel Godellin, një rezultat historik ky për vendin tonë.

Top Channel