Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dha fjalimin e tij të parë publik në televizion, ndërsa festime u realizuan në kryeqytetin Penian me rastin e 100-vjetorit të “babait themelues” të kombit.
Në fjalën e tij, Jong-un nderoi kujtimin e gjyshit të tij, Kim il-sun dhe babai të ndarë nga jeta në dhjetor 2011, Kim Jong-il.
Ai gjithashtu vlerësoi doktrinën e “ushtrisë mbi të gjitha”’, e cila sipas tij, “ka lejuar kombin që të mbijetojë mes kërcënimesh të panumërta”.
Një paradë e madhe ushtarake në sheshin kryesor të Penianit gjithashtu zbuloi një model të ri raketash me rreze të gjatë, i ngarkuar mbi disi kamionë shumë më të mëdhenj se pjesa tjetër.
Paraqitja e këtyre raketave përbën një lloj kompensimi publik, pas reputacionit të dëmtuar nga dështimi i lëshimit të një sateliti në hapësirë, më parë gjatë javës.
Jong-un, gjithashtu aludoi se 25 milionë banorët e vendit të tij nuk do të vuajnë më nga problemet e shumta ekonomike. “Nuk do të jetë më nevoja të shtrëngojmë rripin”, tha lideri. Megjithatë, surpriza e vërtetë nuk ishin fjalët e tij, por vetë fjalimi, që në kohën e Kim Jong-il mungoi për 17 vite me radhë.
Ekspertët veçuan se përpara turmave të entuziasmuara, Jong-un nuk shfaqi pamjen e një diktatori të egër, duke zgjedhur një fjalim miqësor, ndërsa u pa duke qeshur e bërë shaka me udhëheqës të tjerë të lartë.
“I shpreh mirënjohjen bashkëkombasve tanë në Korenë e Jugut dhe në të gjithë botën që i dedikohen bashkimit dhe begatisë së kombit tonë”, shtoi në mënyrë surprizë Jong-un gjatë fjalimit të tij. “Le të ecim përpara drejt fitores përfundimtare”.
Nga ana e tyre, aktivistë pranë kufirit, lëshuan 200 mijë tullumbace me helium, të cilët mbartnin me vete mesazhe paqeje dhe ribashkimi.
Top Channel