Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka kërkuar që Bashkimi Evriopian t’i bëjë më tepër presion Serbisë, pasi sipas tij, mënyra se si ajo po e trajton aktualisht nuk po bën efekt.
Këto komente Kurti i bëri të mërkurën në Prishtinë, gjatë një takimi me nëndrejtorin e përgjithshëm të Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Just Corte.
Sipas një njoftimi për shtyp të lëvizjes Vetëvendosje, gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, me theks të veçantë në sfidat e vendit në rrugën drejt BE-së.
Në njoftim theksohet më tej se të dyja palët kanë rënë dakord se për të gjitha qëndrimet është e dobishme të vazhdojnë debatet dhe diskutimet edhe në të ardhmen.
Së fundmi Prishtina zyrtare ka akuzuar Beogradin se nuk po zbaton marrëveshjen për përfaqësimin në nismat rajonale, pasi qeveria serbe e la Kosovën jashtë një samiti të organizuar prej saj në fillim të muajit.
Po ashtu, Kosova nuk u ftua në një samit tjetër në Shkup, ndërsa pak ditë më vonë Serbia bojkotoi një samit në Mal të Zi, pikërisht për shkak të pranisë së Kosovës.
Qeveria serbe ka miratuar një udhëzim, sipas të cilit të gjithë anëtarët e delegacioneve serbe para samiteve duhet të deklarojnë se pjesëmarrja e Prishtinës është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe se Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë.
Ndërsa vetë Brukseli zyrtar deklaroi disa ditë më parë se nuk mban asnjë përgjegjësi përsa i përket zbatimit të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.
Top Channel