Qendra e dokumentimit të viktimave, e ngritur nga opozita dhe aktivistët e të drejtave të njeriut në Siri, njoftuan për të paktën 34 persona të vrarë nga dhuna në Homs dhe Daraa, vetëm ditën e sotme.
Mes viktimave, thuhet në njoftimin e aktivistëve, 33 janë civilë dhe një është anëtar i forcave qeveritare. Ndërkohë ndër civilët 2 janë viktimat të regjistruara në radhët e minorenëve, njëri në Homs dhe tjetri në Daraa.
Ndërkohë, makineria e vdekjes e regjimit sirian duket e vendosur të mos lejojë sirianët t’i shpëtojnë dhunës.
Sipas ‘Human Rights Watch’, me qindra mina janë vendosur në zonat kufitare me Libanin dhe Turqinë, pikërisht në rrugët e përdorura nga refugjatët që tentojnë largimin nga vendi.
Organizata me seli në Nju Jork thotë se ka prova të shumta në mbeshtetje të pohimeve të saj, përfshi rrefime të dëshmitarëve okularë dhe specialistëve të çminimit. “Siria ka ndërmarrë një sërë masash për kontrollin e plotë të kufijve, dhe vendosja e minave tokësore ishte pjesë e planit të saj”, thuhet në raportin e ‘Human Rights Watch’.
Në plan diplomatik, përpjekjet për zgjidhjen e krizës vazhdojnë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mori pjesë në një takim të Ligës Arabe në Kajro, ku palët u pajtuan me një plan 5 pikësh i cili të ndihmojë në kapërcimin e këtij ngërci. Liderët arabë i kërkuan megjithatë Moskës të mbështesë planin e paqes që përfshin kërkesën e largimit të Bashar al Assadit nga pushteti.
Forcat qeveritare marrin “fortesën” e rebelëve
Pas ditë të tëra luftimesh me rebelët, forcat qeveritare siriane kanë marrë nën kontroll qytetin verior të Idlibit.
Raportet tregojnë se trupat e regjimit po bastisin shtëpitë në zonen e njohur si fortesë e Ushtrisë së Lirë Siriane.
Nuk dihet me saktesi ku kanë shkuar kryengritësit apo sa njerëz mund të jenë vrarë.
Zhvillimet në terren vijnë njëkohësisht me lajmet se presidenti Bashar al-Asad ka dërguar një përgjigje për planin e paqes së propozuar nga Kofi Annan, por se cila është përgjigja, nuk është mësuar ende.
Plani përfshin thirrjet për një armëpushim të menjëhershem nga të dyja palet, hyrjen e ndihmes humanitare dhe fillimin e dialogut politik.
Top Channel