Thellohet misteri mbi vetvrasjen e Speed

29/11/2011 20:40

Misteri i vetvrasjes së trajnerit të Uellsit dhe një prej lojtarëve më të njohur të Premier League në dekadën e fundit, Gary Speed, thellohet edhe më shumë nga deklarata e gruas së tij se ai nuk kishte asnjë shenjë depresioni dhe nuk kishte asnjë problem mes tyre.

Sipas të dhënave që i janë dhënë policisë, ishte pikërisht bashkëshortja ajo që gjeti trupin e varur të 42-vjeçarit, në banesën e tyre në Uells. Në një komunikim me shtypin, agjenti i ish-futbollistit të Tottenham, Newcastle dhe Everton, deklaroi: “Zoti dhe Zonja Speed kishin një martesë të lumtur midis tyre dhe këtë mund ta dëshmojë të gjithë ata që e njihnin. Për këtë arsye, ajo ngjarje është një mister i vërtetë. Familja nuk ka as më të voglën ide se përse ai kreu një akt të tillë të paparalajmëruar dhe kjo është ajo që i mundon më shumë”.

I pyetur për rrethanat e vdekjes së trajnerit të Uellsit, agjenti shtoi: “Gruaja e tij Louise siguron me sinqeritet që nuk kishin patur asnjë problem së fundmi. Ajo është më e tronditura dhe më e befasuara nga të gjithë. Deri në ditën e vetvrasjes, nuk ka patur asnjë të dhënë për mundësinë që ai të ishte duke vuajtur nga ndonjë problem depresioni”.

Pasi autopsia mbështeti faktin që ngjarja ishte një vetvrasje, policia mori në pyetje gjatë të martës bashkëshorten dhe dy djemtë e tij. Disa orë përpara ngjarjes, Speed kishte marrë pjesë në një emision sportiv të BBC-së, ku dukej në formë të mirë dhe i qeshur.

Misteri thellohet edhe më shumë nga fakti që ish-futbollisti nuk ka asnjë letër lamtumire, siç është e zakonshme në kështu rastesh. Megjithatë, për momentin, pista e rrethanave të dyshimta është përjashtuar nga policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA