Los Anxheles u bë skena e një ekspozite të vecantë të makinave që do të zgjasë për 10 ditë. Përballë publikut në sallonin e qytetit kalifornian u zbuluan një sërë markash të njohura të cilat kanë ngjallur një admirim të madh për stilin e tyre.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen ishte BMW, një makinë hibride e cila do të përdoret edhe në filmin më të fundit aksion të Hollywood-it ‘Mission Imposible”. Makina është e përbërë nga fibra karboni, ndërsa dyert e saj ngrihen lart kur hapet.
Nuk mbetet më pas kompania tjetër gjermane e prodhimit të makinave, Audi. Në Los Anxheles, ajo u përfaqësua nga modeli “R8GT Spyder” që ra në sy për stilin elegant të saj. Jaguar, ishte një tjetër makinë që u prezantua në sallonin kalifornian me modelin C-X16. Ishte një makinë hibride dhe sportive që reflekton në mënyrën më të mirë atë zotëron Jaguar.
Ndërsa Porsche prezantoi në këtë ekspozitë modelin Classic 911. Kjo makinë ka arritur të ruajë linjën klasike të saj që i ka rezistuar të gjitha kohërave pasi u shfaq për herë të parë në vitet 60. Kompania gjermane deklaroi në të njëjtën kohë se do të hapë një kompleks jashtë Los Anxhelesit ku do të përfshihen edhe disa pista për të bërë teste, gara off-road dhe një muze.
SHBA përfaqësohet nga Chevrolet e cila shfaqi modelin Camaro Zl-1 që ka një motor 580 kuaj/fuqi dhe një opsion për administrimin e mirë të karburantit.
Fordi prezantoi modelin Ford Escape dhe Ford Focus Electric. Në ditët e ardhshme, pritet të prezantohen edhe 20 modele të reja makinash hibride dhe elektrike, ndërkohë që kjo ekspozitë do të mbyllet në 27 nëntor.
Top Channel