Të paktën 28 të vrarë nga sulmi me dron në një treg në Sudan, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar
Një gjykatë pakistaneze ka shpallur fajtor dhe dënuar me vdekje truprojën policore që vrau guvernatorin e provincës së Punxhabit, Salman Taseer, në janar.
Mumtaz Qadri kishte rrëfyer më parë se e kishte vrarë guvernatorin pasi kundërshtonte qëndrimin e tij mbi ligjin kontrovers të blasfemisë.
Kritikët e ligjit në fjalë thonë se ai mund të përdoret për të përndjekur minoritetet me besim tjetër dhe në disa raste për të nxitur armiqësinë.
Vrasja e guvernatorit ndau Pakistanin, me shumë qytetarë që e cilësonin truprojën si hero.
Qadri ishte pjesë e njësisë që kujdesej për sigurinë e guvernatorit, por ai hapi zjarr ndaj tij sapo do të hipte në makinë, në kryeqytetin Islamabad, më 4 janar.
Gjyqi u zhvillua në ambjentet e burgut të sigurisë së lartë të Adijalasë, në Raualpindi, me dyer të mbyllura për mediat.
“Gjykata njoftoi për të dënimin me vdekje”, deklaroi pas procesit avokati i të pandehurit, Shuja Ur Rehman për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Disa dhjetra persona u mblodhën jashtë burgut pas dhënies së vendimit, duke bërtitur parulla pro-truprojës.
“Me dënimin e Mumtaz Qadri-t, ju do të prodhoni mijëra të tjerë si ai”, bërtiste një protestues përmes një megafoni.
Top Channel