Kampioni i Brazilit, në stolin e Skënderbeut

08/04/2011 19:15

Bernardo Ribeiro mbase është një emër që shumë njerëz nuk e njohin. Ai është një brazilian, futbollist si shumë të tjerë në vendin e tij, e madje edhe kampion me ekipin e Flamengos.

Për rrethana të çuditshme mbërriti në Korçë dhe që nga dita që shkeli në qytetin juglindor, asgjë s’ka qenë më normale për 21-vjeçarin, siç dëshmoi ai vetë në intervistën për emisionin e pasdites në “Top Channel”.

” Unë kam luajtur gjithmonë tek Flamengo, por një ditë më kërkuan tek Katania në Serinë A. Shkova atje dhe pas ofertës që ata bënë, dukej sikur gjithçka po shkonte mirë, por kur duhej të mbyllej marrëveshja, Flamengo kërkoi më shumë para dhe Katania nuk pranoi”, nis rrëfimin e tij Ribeiro.

”U ktheva në Brazil dhe pas 10 vitesh që luaja dhe kisha fituar edhe një kampionat, kontrata po më skadonte. Pasi më mbaroi, Enrike Miguel, që është trajneri atletik tek Skënderbeu, u foli drejtuesve për mua dhe bëmë një marrëveshje që të vija të luaja këtu pa qenë nevoja të blinin kartonin”.

Megjithatë, jo thjesht mënyra se si erdhi në Shqipëri, por mbi të gjitha ora kur mbërriti, duket se i kanë hapur shumë telashe mesfushorit të talentuar.

”Kam ardhur në Shqiperi mes fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit. Problemi qëndronte tek koha e merkatos.  

Ne bemë çdo gjë me Federatën Shqiptare, çdo dokumentacion të nevojshëm përpara se të skadonte afati, por unë firmosa të nesërmen e mbylljes së merkatos dhe kështu që FIFA tha jo, pa dhënë shumë shpjegime.

Pritëm se mos zgjidhnin ndonjë gjë, por një ditë trajneri Duro më merr në telefon dhe më thotë: “Bernardo, më vjen keq, por nuk mund të luash këtë sezon”.

I larguar për herë të parë nga vendi i tij i ngrohtë, Ribeiro e gjeti veten në një skuadër për të cilën nuk mund të luajë as edhe një ndeshje.

” Kam luajtur vetëm një ndeshje me Skëndërbeun, në miqësore me Pogradecin. Isha shumë nervoz, por luajta mirë”, kujton braziliani.

”Kisha katër muaj që nuk luaja, më kishte marrë malli për ritmin e topit. Ndeshja nuk shkoi shumë mirë, por mbaj mend që disa ultras të ekipit u afruan dhe më thane që kishin ardhur vetëm për mua, pasi më shohin në stërvitje dhe i pëlqen si luaj. U gëzova shumë nga kjo”.

E veçanta e rastit të Bernardos është fakti që “Ujqërit e dëborës” kanë vendosur t’a mbajnë dhe t’a paguajnë me 50% të kontratës, edhe pse ai është i papërdorshëm këtë sezon.

”Stërvitem shumë, nuk kam qejf të dal e të abuzoj, pasi nga kondicioni fizik i trupit tim varet kontrata e re që do të bëj me Skënderbeun”, thotë Ribeiro.

Në planin personal, një djalë i ri që lë Rio de Zhaneiron për Korçën e dimrit të stërgjatë, ndryshimi është pothuajse radikal.

”Në Rio, çdo ditë është vapë. Në dimër atje shkon minimumi 20 gradë, ndërsa në Korçë, kur është shumë vapë, temperatura është 17 gradë.

Stërvitja është shumë e veshtirë për mua, pasi duhet të vishem shumë trashë, por ama njerëzit që gjeta këtu janë shumë të ngrohtë, janë të dashur dhe kanë pak temperamentin si brazilianët, ndaj ndjehem si në shtëpi”.

Në këtë moment të vështirë të jetës së tij, as familja nuk ndodhet shumë pranë, e madje as e dashura.

”Më mungojnë shumë prindërit dhe vellai, pasi kam jetuar gjithmonë me ata. Kur erdha në Shqipëri, u ndava me të dashurën që kisha tre vjet i lidhur, pasi për një femër vetëm në Brazil është shumë e rrezikshme. Kjo më bën të ndihem i vetmuar”, dëshmon 21-vjeçari.

”Ditët e mia janë gjithmonë njësoj, zgjohem, futem në internet e më pas shkoj në stërvitje. Ha ndonjë krep, pasi i pëlqej shumë e më pas vij në hotel, ku flas me familjen time. Asgjë më shumë se kaq”.

Këto ditë duhet të jenë “vrastare” për temperamentin e lëvizur të tij, sidomos duke patur parasysh që ndau dy sezone me Adrianon “e tmerrshëm” tek Flamengo.

”Imazhi i keq i brazilianëve vjen nga Adriano, i cili është shumë mik i imi, por unë nuk jam fare ashtu. Unë këtu jam vetëm për punë. Me Adrianon kemi fituar titullin kampion, por nuk jam dakort me stilin e tij të jetesës”.

Top Channel