Bregdeti shqiptar nga skaji verior e deri në kufi me Greqinë ofron mundësi turistike të pafundme. Plazhet janë të të gjitha kategorive dhe hapësirat për akomodim janë të shumta. Por sot do t’i drejtohemi një perle natyrore dhe turistike për të zbuluar një mënyre tjetër pushimi.

Duhet të jetë shumë e qartë që jemi në jug të Vlorës mes Dhërmiut dhe Himares. Fshati Jalë dhe shumë zona të tjera kanë plazhe që do të na i kishin zili dhe destinacionet me ekzotike. Edhe rruga automobilistike, një nga pikat më të dobëta të turizmit shqiptar, për në Jalë është një mrekulli dhe fama tashmë i ka kaluar kufijtë e vendit.

Disa të huaj po i drejtohen Jalës pasi atje ndodhet një alternativë turistike më shumë e njohur për ta sesa për shqiptarët. Edhe pse prej pothuajse një dekade tashmë kampingu i Jalës i ka hapur dyert ose më mirë çadrat për pushuesit.

Por ka dhe shqiptarë që e njohin mirë kampingun.

“Unë për vete preferoj gjithmonë kampingun dhe gjithmonë zgjedh një alternativë të tillë. Jam shumë e lidhur me natyrën dhe më pëlqen shumë”, shprehet një prej pushueseve.

Kjo alternativë ka veçoritë e saj dhe mbi të gjitha qëndron socializimi dhe kjo duket që tek stolat dhe tek tavolinat e mëdha dhe të përbashkëta, ku dhe ushqimi gatuhet i përbashkët.

“Darka ka gjëra që gatuhen në të gjitha familjet shqiptare”, thotë një tjetër pushuese.

Nese jeni në Jalë mos u mjaftoni thjesht me plazhin fantastik që gjeni aty pranë, dikush nga kampingu do t’ju shoqërojë pak më tutje, 20 minuta më larg duke ecur në këmbe do t’ju shfaqet para syve një parajse idilike e izoluar nga plazhet e njohura të zones.

Pothuajse të gjithë rezidentët aktualë në kamping kanë qenë ndonjëherë tjetër, por fati na ndihmon dhe gjejmë dikë që e ka për herë të parë.

“Mua më duket shumë origjinale si ide. Mua më pëlqen ajri dhe të qenit njësh me natyrën”, thotë një shtetas turk.

Nëse vendosni të shkoni në kamping mbi të gjitha përgatituni të hiqni dorë nga disa komoditete të vogla prej jete sedentare si një vaskë e ngrohtë përshembull.

Aktivitetet në këtë vend mund të jenë të pafundme qoftë nëse keni apo jo fantazi. Kuptohet që shumica është e lidhur me plazhin dhe mund të gjeni edhe ndonje kurs zhytjeje, por me një kanoe të vogël mund të niseni në zbulim të miniparajsave që janë shpërndarë në këtë cep jugor të Shqipërisë.

Tani është momenti për të kuptuar mirëfilli se çfarë është kampingu, pra çadrat. Çuditërisht ato janë më të rehatshme dhe të bollshme se ç’duken nga jashtë dhe dhomat e këtij hoteli natyral janë të vendosura më pranë se ato në hotelet e zakonshme.

Rastësia na bëri që të gjejmë Xheni Hallullin nëpër çadrat e kampingut të Jalës, por ajo nuk është fare rastësisht aty dhe kush tjetër më mirë mund të na sqarojë avantazhet e kampingut.

“Për mua është hera e tretë që vijë këtu”, thotë Xheni, aktorja e “Portokallisë”.

“Është lirë dhe mund të rrish sa të duash, është praktik dhe nuk duhet të rregullohesh e mbahesh. E bukura është se të gjithë këtu bëhemi njësh”, shton ajo.

Por duke pasur parasysh plazhet e zonës nga Vlora deri në Sarandë e mbi të gjitha gjiret e shpërndara në këtë territor, ju sugjerojmë që t’i vizitoni qoftë duke fjetur në makinë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel