Është një moment i zakonshëm përgatitjeje për në punë, edhe pse i saji nuk është një profesion i çfardoshëm për gjininë femërore në Shqipëri.

Lë pas të voglin e saj, për të nisur pas pak një mbrëmje plot adrenalinë. Tek e fundit ky është profesioni i saj. Kjo është Dj Miss Ilda.

Ilda Mustafallari është 26 vjeç. Ajo është një nga të parat femra që mikson muzikë live në klubet e natës, tashmë jo vetëm të Tiranës, por edhe në vendet e Ballkanit.

“Kam 8 vjet që ushtroj këtë profesion. E kam nisur spontanisht në klube shumë të thjeshta të Tiranës. Mësoja me një kolegun tim”, thotë Ilda.

Në fillim ajo ka qenë një gjimnaziste që duke rendur pas pub-eve e diskotekave, i zbuloi vetes një pasion të çuditshëm. Orët e argëtimit ajo nuk i gjente në pistën e kërcimit, por tek kabina e DJ-it.

“E kisha si pasion të fshehur që në adoleshencë dhe që e realizova pas tre vjetësh”, pohon Ilda.

“Fillimi ka qenë i vështirë. Është e vështirë muzika, konsoli. Mësimi me pajisjet profesionale, përzgjedhja muzikore. Pastaj ia mora dorën. Gjithçka është dhunti”, tregon ajo.

Kështu do të nisnin pa asnjë paramendim profesional, por thjesht për çështje pasioni, performancat e para të Ildës. Ajo ndihej mirë teksa njerëzit lëkundeshin nën ritmet e saj, por sytë e shumtë të kureshtarëve jo gjithmonë e kanë bërë atë të ndihet mirë mbi pistën e miksimit.

“Mendoj se një vajzë e ka të vështirë edhe nga vendi ku jetojmë. Në fillim reagonin pak çuditshëm se, ishin mësuar me çuna. E kisha një çikë të vështirë, sesi shikonin. Plus koha e punës pas mesnatës, vështirë. Më përpara ka pasur paragjykime. Tani ka filluar të pritet më mirë nga njerëzit”, thotë Ilda.

Dj-Ilda nuk mjaftohet tanimë me pak. Përtej performancave të natës, ajo harxhon shumë kohë për përpunimin e kengëve të cilat i sjell në versione të ndryshme. Në këtë punë ajo ndihmohet edhe nga bashkëshorti, i cili gjithashtu është DJ.

“Bashkëshorti është DJ dhe producent. Punojmë bashkë në klubet e Tiranës edhe në produksione. Është një plus për mua. Një ndihmesë shumë e madhe dhe një mbrojtje”, thotë ajo.

DJ Miss Ilda sikurse njihet tashmë, është një profesioniste e fushës. Ajo kërkohet mjaft në performancat e klubeve të natës, ndonëse pasionit të dikurshëm sot i është shtuar një brengë.

“Ka momente që më krijon vështirësi. Duhet të jem një moment me fëmijën tim dhe nuk jam. Krijon vështirësi, por edhe kënaqësi”, shprehet Ilda.

Me pasionin dhe moskokëçarjen e saj të hershme, Ilda i ka thyer tabutë gjinore në profilin e saj të punës. Nën kufjet e saj, ajo mikson dhe shijon deri në agim ritmet e një pune, e cila nuk u krijua thjesht nga pasioni.

“U bënë shumë vite. Për mua është një gjë e mrekullueshme që arrij të përshtatem.  Me jep avantazh të qenurit femër, por edhe profesionalizmi im. Jam shumë e kënaqur me punë time dhe shpresoj të eci më tepër”, thekson Ilda.

Top Channel